Blloku fajeson Hashim Thacin

12/09/2014 00:00

Liderët e koalicionit tashmë të zgjeruar, LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje, e konsiderojnë fajtore Partinë Demokratike të Kosovës për shtyrjen e seancës konstituive, e cila u vendos të mbahet të enjten e ardhshme, me kërkesë të Listës Serbe.

Pas një takimi mes krerëve të koalicionit në ambientet e Kuvendit, i mandatuari i bllokut për kryeministër, Ramush Haradinaj tha se është e papranueshme shtyrja.

“Biseduam për shtyrjen e seancës në radhë të parë. Është vlerësim ynë se është një veprim skandaloz i kryesueses dhe është një shërbim i radhës ndaj PDK-së. Sot unë e kam ditë pushimi, sepse na i ka dhënë kryesuesja dhe e shfrytëzuam, por më mirë do të ishte të ishim në Kuvend. Kemi qenë të gatshëm për seancë sot, jemi të gatshëm për seancë të enjten dhe është e pakuptimtë shtyrja e saj”, tha Haradinaj.

I pyetur nëse vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, Haradinaj u shpreh se kjo nuk duhet të ndodhë, pasi sipas tij, zgjidhja është në Kuvendin e Kosovës nga deputetët. Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa e quajti të pashembullt shtyrjen e seancës konstituive për javën e ardhshme.

“Unë mendoj që procedura e shtyrjes së seancës është krejtësisht e papranueshme, e pashembullt dhe arbitrare meqë seanca duhej të mbahej sot. Ndërsa kryesuesja duhej të pyeste Kuvendin, deputetët e Kuvendit, sepse shtyrja ishte një kërkesë e vetëm nëntë deputetëve. Për shtyrjen mund të kishin vendosur vetëm deputetët dhe kurrësesi kryesuesja me pakicat. Unë nuk shoh asnjë arsye, shoh vetëm tendencë që të shkohet pa kufi në degradimin e sistemit parlamentar tek ne dhe t’iu jepet shansi që pakica të vendos në Kuvend”, tha Mustafa.

Lideri i LDK-së po ashtu ka sqaruar se Lista Serbe ishte sqaruar nga koalicioni LAN se do të bëjnë marrëveshje edhe me Vetëvendosjen dhe sipas Mustafës, deri të mërkurën kjo ka qenë në rregull për Listën Serbe.

Top Channel