Veliaj: U rrit punesimi i te rinjve

11/09/2014 00:00

Raporti më i fundit i INSTAT-it ka saktësuar se të rinjtë, të cilët kanë mbaruar arsimin e mesëm profesional, kanë shumë më tepër mundësi punësimi se të rinjtë, që kanë mbaruar shkollën e mesme të përgjithshme.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, tha se punësimi mes të rinjve, që përfundojnë arsimin e lartë, me ata, që kanë përfunduar arsimin profesional, kanë gati të njëjtat shanse në tregun e punës.

“Ata që kanë mbaruar arsimin universitar kanë 70% shanse të punësohen menjëherë pas mbarimit të universitetit. Ndërsa ata që kanë mbaruar arsimin e mesëm profesional kanë 63% shanse. Pra thuajse shanse të barabarta punësimi, pavarësisht nëse kanë mbaruar të mesme profesionale apo të lartën universitare. Ndërkohë që shanset janë shumë më të ulta për ata që kanë mbaruar gjimnaz të përgjithshëm, që ende pa mbaruar regjistrimet ne kemi një rritje rreth 30% të aplikimeve për arsim profesional. Janë ato të teknologjisë së informacionit dhe rrjeteve kompjuterike, janë ato të bujqësisë. Kemi sot disa investitorë të huaj që kanë blerë qindra dhe mijëra hektarë tokë në Shqipëri për të rritur produkte ushqimore këtu te ne për vendet e tyre, kryesisht ato nordiket, që kanë nevojë për krah pune, punë të specializuar”, u shpreh ministri Veliaj.

Të dhënat zyrtare mbi punësimin kanë treguar se numri i të punësuarve është rritur me 70 mijë e 700 gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, një rritje që lidhet edhe me punësimin sezonal.

“Së pari, u futën për herë të parë projektet e subvencionimit për vendet e punës. Së dyti, afroi sezoni i bujqësisë, si dhe afroi edhe sezoni i pushimeve. Problemet me punët sezonale kanë gjithmonë një problem se si mund të gjendet mënyra për t’i zgjatur ato, pra si ta zgjasim periudhën e turizmit në Shqipëri. Ne nesër do të kemi një takim në Vjenë për të bërë një memorandum me shoqatën e pensionistëve austriakë, dhe këtë do ta bëjmë edhe në disa vende të tjera. Gjykojmë që Shqipëria, me klimën e butë, mund t’i vërë në eficencë shumë prej hoteleve dhe resorteve që kanë në bregdet, të cilat zakonisht në fund të Shtatorit mbyllen, për t’u hapur për këtë lloj klientele, të moshuar të Europës Perëndimore dhe Veriore”, shtoi ministri Veliaj.

Ministria e Mirëqenies Sociale pritet të lidhë një marrëveshje me Shoqatën e Pensionistëve gjermanë, në mënyrë që ata të vijnë në Shqipëri për të kaluar periudhën e dimrit pranë hoteleve, në qytetet  bregdetare të vendit. Kjo marrëveshje do të rrisë numrin e të punësuarve dhe do të zgjasë sezonin e turizmit në vendin tonë.

Top Channel