Thaci perkujton viktimat e 11 Shtatorit

11/09/2014 00:00

Kryeministri i Kosovës ka përkujtuar viktimat e sulmit të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Para trembëdhjetë vitesh, populli i Kosovës, i tmerruar si e tërë bota, u bë dëshmitar se si terroristët goditën Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, duke vrarë mijëra civilë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe shqiptarë. Njerëzit në të gjithë Kosovën mbajtën zi për të vdekurit dhe ndanë pikëllimin e tyre me popullin amerikan. Populli i Kosovës mbetet falënderues përjetesisht ndaj SHBA-ve për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë ne sot. Prandaj, ne me krenari vazhdojmë të jemi përkrah popullit amerikan dhe të vendosur të mbesim në një front të bashkuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit vrastar që po vazhdon t’i cënojë vlerat e përbashkëta. Sot, sikurse edhe më 11 shtator 2001, ne të gjithë jemi amerikanë”, ka shkruar kryeministri Hashim Thaçi në Facebook.

Ndërsa, nga Shoqata Miqtë e Amerikës është ulur në gjysmë-shtizë flamuri i Amerikës në sheshin ‘Bill Clinton’ në Prishtinë. Sipas Agim Rexhepit, kryetar i Shoqatës Miqtë e Amerikës, me këtë veprim kanë dashur të tregojnë që bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë me amerikanët çdo herë, madje siç u shpreh ai, shqiptarët edhe pse me numër të vogël, amerikanët mund të kenë besim te këta të fundit.

Ndërkohë, në shenjë respekti dhe përkrahje për viktimat e sulmit të 11 shtatorit në Amerikë, që nga viti 2003 organizohet Festivali i filmit të shkurtër “Nine Eleven Dedication Festival”.

Top Channel