Lookman bën mbrapaktheu! Telenovela e lojtarit të Atalantës, dështojnë negociatat me Interin kthehet në Bergamo Të tilla pamje (të cilat mund t’i shihni në fotoalbumin bashkangjitur artikullit) nuk janë marrë nga ndonjë luftë, por gjatë ndeshjes Vllaznia – Tirana, në “Loro Boriçi”.
Tifozëritë e të dyja skuadrave kanë qëlluar njëra-tjetrën me sende të forta, ndërkohë që gurëve nuk i ka shpëtuar as presidenti Refik Halili, i cili është gjakosur në kokë.
Rrëzimi i Elis Bakajt brenda zonës, në minutën e 63-të, dhe pretendimet e lojtarëve të Tiranës për një 11-metërsh kaluan në tribunën e tifozëve kryeqytetas, të cilit hodhën sende të forta në fushë dhe u kërkonin lojtarëve të linin ndeshjen.
Lojtarët dhe stafi drejtues i Tiranës kërkuan qetësimin e situatës, ndërkohë që forcat blu ushtronin dhunë ndaj tifozëve të Tiranës. Gjyqtari i ndeshjes ndaloi lojën dhe futbollistët bardheblu vrapuan drejt tribunës, duke u kërkuar forcave blu të hiqnin dorë nga kjo sjellje ndaj tifozerisë së tyre, e duke i marrë ata në mbrojtje.
Ndeshja rifilloi sërish pas 10 minutash, por goli i barazimit i Ervin Bulkut në sekondat e fundit, këtë herë nuk u përtyp nga tifozët shkodranë, të cilët pas përfundimit të ndeshjes dolën jashtë stadiumit dhe qëlluan me sende të forta tifozët e Tiranës.
Duke dashur t’u ikin gurëve, këta të fundit u futën në fushë, por dhe aty u përballën me të tjerë tifozë shkodran. Fusha, e cila deri në ato momente ishte shfrytëzuar për një ndeshje futbolli, tashmë ishte kthyer në një arenë gladiatorësh, ku çdokush mund të qëllonte pa asnjë problem, ndërsa policia u tregua e pafuqishme për të qetësuar situatën.
Ndërkohë, nga raportime të mëparshme nga vendngjarja, është mësuar se tifozeritë kanë qëlluar me karriget e stadiumit dhe shishe. Blutë e Shkodrës kanë qëlluar në ajër me armë për të shpërndarë tifozët pas ndeshjes, por kjo ka qenë e kotë, pasi sherri u zhvendos edhe jashtë stadiumit.
Tifozët kanë dëmtuar edhe makina të shumta, ndërsa policia, në pamundësi për t’i shpërndarë, ka futur brenda stadiumit tifozët e Tiranës, me shpresën se do të largohen tifozët e Vllaznisë.
Top Channel