INSTAT: Bie niveli i papunesise

11/09/2014 00:00

Instituti i Statistikave njoftoi se papunësia shënoi, në tremujorin e dytë të vitit, uljen më të madhe, që nga fillimi i vitit 2012.

Në anketën e fundit mbi tregun e punës, INSTAT raporton se, në periudhën Prill-Qershor, shkalla e papunësisë zbriti në 17.7 përqind, nga 18.6 përqind që ishte në tremujorin e parë.

Rënia është gati 1 pikë përqindjeje dhe, sipas tabelave të INSTAT, ka ardhur për shkak se gjatë tremujorit të dytë u hapën rreth 70 mijë vende të reja pune.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se gjysma e tyre i përkasin sektorit të bujqësisë, ndërsa pjesa tjetër lidhet me industrinë, veçanërisht atë të manifakturës.

Megjithatë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i papunësisë ishte në tremujorin e dytë 1.3 pikë përqindje më i lartë, për shkak të rritjes së fortë të regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar dhe atë të parin e këtij viti.

Që prej fillimit të vitit 2012, treguesit në tregun e punës u përkeqësuan me ritme të shpejta, e reflektuar jo vetëm përmes rritjes së papunësisë, por edhe rritjes së pjesës inaktive dhe numrit të të dekurajuarve, që dilnin nga ky treg.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të këtij viti tendenca është përmbysur, pasi si papunësia, ashtu edhe numri i inaktivëve kanë shënuar rënie.

Por, sërish përqindja e të papunëve në Shqipëri mbetet në nivele rekord, krahasuar me vitet para krizës, veçanërisht te të rinjtë, ku shifra arrin deri në 33.5 përqind dhe është në rritje, çka do të thotë se do të duhen ende shumë tremujorë me rezultate të forta pozitive për ta rikthyer atë në trajektoren rënëse.

Top Channel