Kosove, nenshkruhet pakti qeverises

10/09/2014 00:00

Liderët e koalicionit LDK-AAK-Nisma kanë firmosur marrëveshjen e parimeve me lëvizjen Vetëvendosje. Përmes kësaj marrëveshjeje Vetëvendosje ka vendosur që të bëhet edhe pjesë e qeverisë së ardhshme që koalicioni pas zgjedhor synon të formojë.

Isa Mustafa nga LDK, Albin Kurti nga Vetëvendosje dhe Ramush Haradinaj nga AAK e quajtën marrëveshjen jetike për të mirën e vendit, për zhvillim ekonomik dhe sundimin e ligjit.

“Kjo marrëveshje na detyron që sa më parë dhe në përputhje me parimet e demokracisë parlamentare, me normat kushtetuese dhe ligjet e vendit, t’i ndërtojmë institucionet e reja. Të përqendrohemi në çështjet e zhvillimit ekonomik, në rritjen e punësimit dhe të mirëqenies sociale të vendit tonë”, deklaroi Mustafa.

“Ne në lëvizjen Vetëvendosje, kur të vijë puna tek formimi i qeverisë së re e cila do ta ndryshojë Kosovën si në aspektin politik ashtu edhe në atë socio-ekonomik, do ta mbajmë referendumin brenda VV. Ajo që kemi bërë sot, me rastin e tremujorit të fillimit të bisedimeve tona, është që Lëvizja bashkë me koalicionin LAN janë marrë vesh që Kosovën ta hedhin në binarët e drejtësisë, zhvillimit, barazisë, të luftimit të krimit dhe korrupsionit. Ndërkaq, formimi i qeverisë dhe pjesëmarrja në të do të jetë një marrëveshje e ardhshme”, tha nga ana tjetër Albin Kurti.

“Pra, kemi një partneritet të një koalicioni mes LDK-së, AAK-së, Nismës tani me Vetëvendosjen. Dhe kemi po ashtu një situatë integruese ashtu si e parasheh Kushtetuta me komunitetet etnike”, u shpreh më tej Haradinaj.

Sipas krerëve të subjekteve të këtij koalicioni të zgjeruar, marrëveshja e arritur të mërkurën u jep zgjidhje çështjeve të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe asaj të formimit të qeverisë.

Megjithatë, ata nuk treguan formën kushtetuese që kanë zgjedhur të ndjekin për jetësimin e marrëveshjes së arritur. “Kur ta lexoni marrëveshjen flasim prapë”, tha shkurt për mediat Haradinaj.

Për marrëveshjen e arritur mes LAN-it dhe VV-së, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj kanë njoftuar të mërkurën në mëngjes ambasadoren amerikane në Prishtinë, si dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Top Channel