Gruaja e dhunuar kërkon ndihmë

10/09/2014 00:00

Yllka Tafilaj, nënë e dy fëmijëve 5 dhe 6 vjeç, thotë se ndihet e kërcënuar në banesën e saj, pas dhunës së ushtruar ndaj saj 10 ditë më parë.

Yllka thotë se xhaxhai i ish-burrit të saj e ka goditur publikisht në mes të qytetit të Tepelenës dhe më pas është lënë i lirë prej gjykatës, vetëm me detyrim paraqitjeje.

Yllka mbeti e ve, pas një aksidenti të ndodhur katër vite më parë dhe, që prej asaj periudhe, ka vuajtur nga trauma nervore, ndërsa trajtohet me një fond të plotë invaliditeti.

Djali i vogël i Yllkës ishte në mjetin e aksidentit, por dhe gjatë momentit të goditjes së nënës së tij një javë më parë.

“Kam shkuar në Prokurori për të pyetur prokurorin e çështjes se përse dhunuesi është i lirë, në një kohë që i ishte dhënë fillimisht masa e arrestit, e u përgjigj që nuk mundej të arrestohej sepse ishte xhaxhai i burrit tënd dhe jo vëllai apo i ati i tij. Nuk e kemi konsideruar dhunë në familje, por po të të kishte rrahur pak më shumë do ta konsideronim plagosje të lehtë. Unë kam pasur shumë më tepër shenja kur u shtrova në spital. Më pas kam shkuar te kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, me babain tim dhe kushëririn e tij, e më thanë se ishin në siklet, pasi gruaja e tij punonte sekretare atje. Unë i kërkova që e drejta të vihej në vend, pasi fytyra ime ishte bërë mos më keq. Më thanë se dënimi do merrej, nuk do lihej pa u marrë. E megjithatë ai po bredh i lirë”, shprehet Yllka Tafilaj.

Gruja 26-vjeçare, ende me shenjat e dhunës në fytyrë e trup, kërkon urdhrin e mbrojtjes dhe një jetë të qetë me fëmijët e saj, që ndihen të traumatizuar.

Drejtorja e Shërbimit Social Shtetëror, në Gjirokastër, Albana Allushi, thotë se familjes po i ofrohet mbështetja psikologjike, ndërsa po merren masa për të garantuar mbrojtjen e saj.

“Yllka trajtohet si person i paaftë, hyn në grupin e invalidëve të plotë të punës dhe merr një pagesë prej njësisë vendore me vlerën e 3300 lekëve (33 mijë), ndërsa pjesa tjetër është e sigurimeve shoqërore. Ndërkohë që ajo ka treguar edhe sistemimin në një nga qendrat e dhunimit të grave, të trajtohet, dhe ne kemi kontaktuar menjëherë me drejtuesit e Shërbimit Social dhe ia kemi ofruar sistemimin në kryeqytet, së bashku me fëmijët”, u shpreh Albana Allushi, nga Shërbimi Social Shtetëror, Gjirokastër.

Yllka jeton në një banesë me qira në Tepelenë. Aksidenti, gjatë të cilit humbi jetën bashkëshorti, u pasua nga një trajtim i gjatë në Spitalin Ushtarak dhe, më pas, nga shumë seanca gjyqësore, ku gruaja rrezikoi të humbasë kujdestarinë e fëmijëve.

Top Channel