Lufta ndaj terrorizmit

09/09/2014 00:00

Institucionet kosovare të drejtësisë po përgatiten për zgjerimin e hetimeve dhe për aksione të reja ndaj grupeve të dyshuara terroriste.

Pas aksionit antiterror, që rezultoi me 40 kosovarë të arrestuar, Prokuroria e Shtetit në Kosovë po mendon se puna e tyre duhet të koordinohet edhe me vendet fqinje.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Sylë Hoxha, ka thënë për Top Channel se shteti i parë, me të cilin do të thellojnë bashkëpunimin ndaj kësaj dukurie, është Republika e Shqipërisë.

“Sigurisht që bashkëpunimi do të jetë edhe me institucione të tjera. Bashkëpunim do të kemi edhe me Prokurorinë e Shqipërisë dhe me prokuroritë e tjera të rajonit. Mirëpo, ende nuk kemi pasur ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë. Unë jam interesuar që, në një afat sa më të shkurtër të mundshëm, të kem një takim me Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla”, tha Sylë Hoxha, kryeprokuror në detyrë.

Kreu i organit të ndjekjes në Kosovë ka thënë se po bashkëpunojnë me të gjitha institucionet përkatëse për zgjerimin e hetimeve ndaj grupeve të njerëzve, që dyshohen se kanë qenë apo janë të përfshirë nëpër organizata të ndryshme, që kanë lidhje me vendet ku po zhvillohen luftime.

Ai ka thënë se organet e drejtësisë në vend nuk do të lejojnë, që Kosova të bëhet çerdhe e terroristëve apo vend tranzit i tyre.

“Ne, si Prokurori e Shtetit, jemi interesuar që mos t’i lëmë vend terrorizmit, apo edhe dukurive të tjera negative në Kosovë. Kosova të mos jetë as strehë, e as pikë kalimi e terroristëve, sepse kjo do të na shkaktonte dëm neve si shtet, në qarqe ndërkombëtare, por edhe në stabilitetin e shtetit tonë dhe rajonit”, tha më tej Sylë Hoxha.

Angazhimi i institucioneve të drejtësisë për të luftuar terrorizmin, sipas kryeprokurorit në detyrë, nuk mund të quhet si i vonuar pasi, sipas tij, shteti vepron kur i ka argumentet dhe faktet para vetes.

Hoxha ka thënë se prokurorët e tij mund të kenë marrë në këtë kohë ndonjë kërcënim, por sipas tij shteti është i vendosur që të mos e ndërpresë luftën ndaj terrorizmit.

Top Channel