Ekspozita “Durrës Art”

09/09/2014 00:00

Ekspozita e artit figurativ “Durrës Art” është çelur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit.

Në këtë ekspozitë, që do të qëndrojë e hapur deri më 14 shtator, do të ekspozohen rreth 150 punime të 76 artistëve piktorë e skulptorë nga Shqipëria, Franca, Norvegjia, Holanda, Italia, Brazili dhe Kirgizstani.

Shumë prej artistëve do të jenë prezent në Durrës gjatë javës së festivalit. Kuratori David Kryemadhi u shpreh se ky aktivitet sjell një bashkëpunim të ngushtë midis artistëve.

“Është një aktivitet mjaft i veçantë, ku ka një bashkëpunim të ngushtë midis artistëve shqiptarë dhe evropianë që do të krijojnë vepra që i nevojiten Durrësit, pasi arti shkruan historinë e njëkohësisht edhe historia shkruhet me art”, u shpreh Kryemadhi.

Gjatë javës së festivalit, artistët do të shpërndahen në pikat më tërheqëse të qytetit, duke pikturuar muralet e tyre, por njëherazi artistët e rinj do të xhirojnë punët e artistëve dhe qytetin e Durrësit për të realizuar një film të shkurtër i cili do të marrë trofeun e tij në ceremoninë e mbylljes për seksionin “Durrës Art, Biennale 2014”.

Top Channel