BiK kundër djegies së flamurit

09/09/2014 00:00

Bashkësia Islame e Kosovës e ka cilësuar si të papranueshëm dhe në kundërshtim me traditën islame veprimin e të rinjve që djegin flamurin islamik, një trend i saponisur në rrjetet sociale.

“Është e vërtetë që ky flamur padrejtësisht po keqpërdorët nga ISIS, organizatë terroriste e cila vepron gjoja në emër të myslimanëve, mirëpo kjo nuk i jep askujt të drejtën të përdhosë simbolet islame apo të çfarëdo feje tjetër”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

BIK ka ritheksuar se, ISIS nuk vepron sipas mësimeve islame dhe as që është zgjedhur e mandatuar nga myslimanët për përfaqësim.

“Jemi të bindur që veprimet e tyre së shpejti do të marrin përgjigjen adekuate nga populli i Irakut dhe i Sirisë, në bashkëpunim me botën demokratike”, thuhet në reagim.

BIK fton të rinjtë që të jenë të kujdesshëm e të matur në veprimet e tyre dhe të mos bien pre e fushatave që më shumë mund të sjellin debate, konfuzion e paqartësi sesa realizimin e qëllimit të tyre për distancim nga veprimet e ISIS.

“Rikujtojmë se në emër të distanicimit nga ISIS është e papranueshme mëpërkëmbja dhe përdhosja e simboleve islame”, thotë më tej BIK, që solidarizohet me vuajtjet e popullatës civile në Irak e Siri, dhe në të njëjtën kohë dënon veprimet kriminale të asaj që quhet ISIS.

Top Channel