Arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen

09/09/2014 00:00

Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma kanë arritur përfundimisht marrëveshjen me Lëvizjen Vetëvendosje.

Detajet e marrëveshjes mes LAN-it dhe Vetëvendosjes do të bëhen publike të mërkurën në mesditë, por Top Channel ka mësuar nga burime brenda dy kampeve politike se të gjitha pikat, parime që ishin vendosur nga Vetëvendosje për të bashkëpunuar me LAN-in, këta të fundit i kanë pranuar.

“Koalicioni AAK-LDK-Nisma ka arritur marrëveshjen e parimeve me Vetëvendosjen, e cila do të ketë pozicionin e partnerit në ndërtimin e institucioneve”, është shprehur Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Sipas marrëveshjes, Vetëvendosje do të udhëheqë procesin e dialogut, ndërsa marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në Prill 2013 do ta dërgojnë në Komisionin e Venecias për vlerësimin e ligjshmërisë.

Po ashtu, marrëveshja mes forcave politike parashikon, që i gjithë procesi i privatizimit në Kosovë të shqyrtohet nëpër komisionet hetimore të Kuvendit.

Ndërkohë, koalicioni paszgjedhor po vazhdon të sigurojë mbështetje edhe nga deputetët e pakicave. Për këtë qëllim, të martën janë takuar krerët e LAN-it me ata të “Listës Serbe”, të cilët janë të gatshëm ta mbështesin koalicionin paszgjedhor LDK-AAK-Nisma.

“Ne do ta mbështesim shumicën që kanë në Parlament blloku LDK-AAK-Nisma. Ata do ta kenë mbështetjen tonë në seancën e 12 Shtatorit”, tha Jablanoviç, deputet i “Listës Serbe”.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda koaliconit LAN, se partnerët e këtij koalicioni janë pajtuar që, konform përqindjes së marrë në zgjedhje, të marrin po aq pushtet brenda qeverisë që synohet të formohet prej tyre.

Në ditët në vijim, LAN – tanimë edhe me partnerët e rinj – priten të takohen për të diskutuar për ndarjen e posteve në një qeveri të mundshme.

Top Channel