Varret mbretërore ilire, në prag të zhdukjes

08/09/2014 00:00

Në Shqipëri, pak është dëgjuar për fshatin Selcë të krahinës së Mokrrës, e aq më pak për varret mbretërore ilire, që ngrenë kryet në këtë zonë. Të zbuluara që diku nga fillimvitet ’70, ato janë ndër dëshmitë më me vlerë të kulturës ilire, e megjithatë kjo me sa duket nuk ka mjaftuar, sepse pas viteve ’90 janë lënë krejtësisht në mëshirë të fatit.

Me këtë temë rikthehet në Top Channel “Shqipëria Tjetër”, me gazetar Marin Memën dhe operator Sokol Qafleshin.

“Selcës, emri i është ndjerë pak, ose aspak, edhe pse në trupin e saj fsheh vlera të jashtëzakonshme, vlera që të çojnë deri tejmi në periudhën ilire e që, së bashku me njerëzit e këtyre anëve, duket se janë lënë jashtë hartave të shtetarëve, që ose nuk e njohin fare këtë zonë vlerëshumë, ose më keq e kanë lënë qëllimisht në harresë të plotë”.

Janë rreth 100 kilometra, që e ndajnë nga kryeqyteti, përmes një rruge që dredhon herë e vështirë, e herë në kushte të pranueshme. Selca fshihet diku mes Mokrrës, krahinës ku gjithçka flet me gjuhën e historisë, që këtu nis – sipas të dhënave – diku rreth shekullit të katërt para Krishtit.

Fisi ilir i Dasaretëve banonte në këtë zonë e rrënojat antike të gjetura këtu mendohet se i përkisnin kryeqendrës së tyre, Pelionit të lashtë…

Në zonën e varreve monumentale nuk gjejmë askënd, përveç ish-rojes që, siç thotë, është pushuar nga puna vite më parë. E megjithatë Kudreti është i vetmi, që na shoqëron përmes tyre…

Janë pesë varre monumentale ilire, katër prej tyre të ndërtuara në shkëmb, ndërsa njëri i mbështetur mbi blloqe të mëdha guri. Përshtypja që të japin është e dyfishtë; nga njëra anë gjen këtu diçka të mahnitshme, por që përplaset me ndjesinë e keqe, që të lë braktisja e tyre. Në dhomat e gurta të varrimit dallohen lehtësisht dëmtimet e kohës; lagështire, rrëshqitje, gërvishtje të ndryshme, ku më shumë e ku më pak, çdo varr ka pjesën e tij.

Edhe relievet zbukurues janë dëmtuar, aq sa shpesh është thuajse e pamundur t’i dallosh. Ato kanë qendruar aty për shekuj, si simbole identifikues se këto varre ishin bërë për prijës apo mbretër ilirë, ndaj edhe studiuesit shpeshmi kanë hamendësuar se njëri i përkiste mbretit ilir, Bardhyl, një tjetër ndoshta Klitit, e një i tretë edhe atij Monun. E megjithatë, sot është e dhimbshme të shikosh e të prekësh, se si gjendja e tyre po degradon ditë pas dite…

Ndërhyrjet restauruese janë edhe më të frikshme se dëmtimet. Duket se janë bërë thjesht për të kaluar radhën, e asgjë më shumë. Varret, që janë zbuluar diku në vitet ’48-’49, e plotësisht në 1971-’72, janë sot krejtësisht në mëshirë të fatit, duke pasur armik edhe abuzuesit e shumtë, që vijnë e gërmojnë në të gjithë hapësirën rreth tyre…

“Ky vend gjithmonë është gërmuar, për çështje thesaresh. Unë e theksova dhe pak më parë, që këtu edhe kur s’ka pasur rrugë, ka pasur dyndje të mëdha grupesh klandestine, edhe shqiptare edhe të huaja: maqedonas apo grekë, nga ku nuk kanë ardhur. Biles unë gjithmonë u kam dalë në ballë. Nuk kanë gjetur këtu bashkëpunim tek unë, për të gërmuar këtë vend. Ata i kanë gërmuar, por kanë bërë thjesht punë nate. Unë kam rrezikuar jetën edhe natën, për ta mbrojtur këtë vend këtu”, thotë Kudret Barci.

Gropat e shumta tregojnë dukshëm hapësirën kriminale, që kanë mundur ta marrin e që vazhdojnë ta marrin në mënyrë të vazhdueshme abuzuesit, e siç tregon Kudreti, jo të gjithë janë të panjohur e pa lidhje me këtë fushë. Nuk pranon të thotë më shumë, ndoshta sepse druhet nga pushteti jo i vogël i tyre.

Kudreti na tregon se abuzuesit kanë tentuar disa herë të rrëmbejnë edhe sarkofagët e rëndë prej guri, duke i lëvizur disa herë nga vendi i tyre. Nuk dihet se kur janë bërë investimet e fundit në këto monumente, e sigurt është që banorët nuk mbajnë mend të ketë lëvizur gjë së afërmi…

“Ndonjë investim deri tani nuk kanë bërë, që të mirëmbahen ato. Është gjë shumë e bukur ajo atje dhe duhet të verë dorë shteti, që aty të paktën të punohet, se është gjë shumë, shumë interesante”, thotë Bexhet Diko.

Gjithkund në botë, kjo zonë do të ishte një pikë shumë e frekuentuar nga turistët, ende tepër pak në krahasim me vlerën e pafundme të këtij vendi. Mungesa e vëmendjes është tërësore, fillon te monumentet e vijon te banorët… Në të dyja rastet, fati është i njëjtë, i lidhur pashmangshmërisht si një fije e padukshme, e dhimbshme, e tregues i realitetit shqiptar. Duhet të kishte investime, duhet të kishte projekte, gumëzhima, por në fakt ka vetëm harresë, varfëri e heshtje, që kanë çarë jo vetëm muret e gurta të varreve ilire, por dhe jetët e banorëve.

“Sot, mund ta shikoni edhe vetë, shikoni gjendjen ku është. Një skamje, një mjerim i paparë, më keq nuk ka. Asnjë gjë, pothuajse asnjë gjë”, shprehet Altin Diko.

Fshati dhe rreth 200 banorët e tij mbahen me pak bujqësi, me aq sa mund të prodhohet pa pasur ujë vaditës. Mungesë tregu, çmime të larta, shkolla, shëndetësia, rrugët lidhëse… Vështirësitë në fakt janë aq të shumta, sa hera-herës duket sikur do të duheshin shekujt e varreve ilire për t’i rreshtuar e treguar të gjitha…

“Në radhë të parë këtu s’ka shkollë, s’ka ujë, rrugë. Kemi një rezervuar andej, atë se hapin hiç, punë s’ka fare njëherë, vetëm kush punon ndonjë bujqësi, ata kanë ndonjëçik, të tjerët janë të tërë pa gjë. S’kanë fare”, tregon Drilon Kume.

“Kush ka sakrifikuar më tepër, që i ka bërë atë shërbimin më tepër, jashtë mase, mund ta ketë nxjerrë diçka, bukën e gojës, tjetri fare. Do i drejtohet pastaj tregut të zi, që të jetojë apo të mbajë fëmijët me bukë. Shpenzojmë aq shumë, sa nuk e merr me mend dhe nuk marrim fare”, shprehet Ramazan Diko.

Banorët duhet të vazhdojnë të jetojnë nën hijen e historisë, që tashmë u bën pak ose aspak përshtypje. Sigurisht, janë krenarë për të, por monumentet, që duhet të ishin një pasuri për këtë zonë, por që siç thonë nga mungesa e vëmendjes nuk kanë mundur t’iua shuajnë urinë, edhe pse përditë ata kalojnë kah tyre, me shpresën se diçka mund e duhet të ndryshojë. Edhe pse shpresa deri më sot është mykur, me motet që ikin e vijnë…

Të rinjtë, një pjesë shkojnë në Greqi me pasaporta, një pjesë rrijnë ngrohen në diell, kur del dielli, sepse kur s’del rrijnë kështu nëpër streha, mos i zërë shiu.

Shtëpitë e vjetra, çatitë e vjetra, e gurët që duken sikur flasin mes tyre. Një komunikim i gurtë shekujsh, që shkrihen me hallet e banorëve.

Selca e Mokrra kanë vlera të jashtëzakonshme në trupin e tyre, vlera që flasin trishtueshëm me realitetin e sotëm, një realitet që bën apel për diçka të ndryshme, për një të ardhme të ndryshme…

Sipërmi dallohen varret mbretërore ilire, e poshtmi pasardhësit e tyre të varfër selciotë… Historia e djeshme dhe e sotme mbeten pas, e bashkë me të po mbetet pas edhe një pjesë e identitetit të kombit.

Top Channel