Emra të mëdhenj të kinemasë, shfaqje të filmave më të rinj dhe përfshirja e tyre në garën për “Gladiatorin e Artë”, magjia e tapetit të kuq dhe plot risi të tjera, premton Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Durrës 2014”, që do të mbahet nga 9-14 Shtator.

Organizatorja e Festivalit thotë se ky edicion do të ofrojë plot surpriza dhe mundësi për një ngjarje të veçantë kinematografike, duke bërë publike vetëm disa prej tyre.

“Nuk do të mungojnë yjet. Nata e parë do të çelet me magjinë e pelikulës së restauruar të Shamikuqes, një film që shqiptarët e kujtojnë mirë. Do të ndalojmë gjithashtu në retrospektivën e dy yjeve të mëdhenj të kinemasë shqiptare: Arta Burda, që ka lënë gjurmë jo vetëm në artin e Durrësit, por edhe në atë të Kinemasë, kemi nderin ta nderojmë atë me çmimin e “Nderit të Karrierës”. Në të njëjtën kohë edhe regjisori Viktor Gjika, i cili do të marrë gjithashtu çmimin e karrierës në këtë edicion. Do të kemi tituj të mëdhenj në garë”, shprehet organizatorja Anila Varfi.

Edhe për kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, Festivali shënon një nga ngjarjet më të mëdha për qytetin, duke përçuar art dhe kulturë.

“Durrësi, si një qytet turistik, ka nevojë për ngjarje të tilla për të kënaqur jo vetëm qytetarët e tij, por edhe vizitorët dhe turistët që vijnë këtu dhe për ta zgjatur sa më shumë këtë sezon”, tha Vangjush Dako, kryetar i Bashkisë Durrës.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Durrës do të çelet me shfaqjen e filmit të restauruar “Shamikuqja”, një prodhim turk i vitit 1977, që sjell në Shqipëri si të ftuar nderi dhe aktoren protagoniste, që rrëmbeu zemrat e shumë shqiptarëve, Turkan Soray.

Në ditët e tij, Festfilmi do të ndalojë dhe në retrospektivën e kinemasë, ku “Çmimi i karrierës” do të jepet për dy emra të mëdhenj: Marta Burden dhe Viktor Gjikën. Këtë vit, për herë të parë në FestFilm, do të përfshihet dhe struktura e artit figurativ, që sjell dhe Bienalen ndërkombëtare të Artit, në Durrës.

Top Channel dhe Digitalb vijnë si media partnere në këtë festival të rëndësishëm, që gjallëron dhe promovon Durrësin, një nga qytetet më të vjetra në Europë, përsa i përket trashëgimisë historiko-kulturore, po që ende vuan mungesën e një kinemaje.

Top Channel