Forcohet koalicioni opozitar në Kosovë

08/09/2014 00:00

Blloku paszgjedhor “LDK-AAK-Nisma” është në prag të arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit edhe me Vetëvendosjen.

Për këtë çështje kanë folur krerët e koalicionit paszgjedhor, ndërsa kandidati i tyre për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja me Vetëvendosjen pritet të arrihet para seancës konstituitive të Kuvendit, që mbahet të premten.

“Ka pasur një komunikim shumë intensiv këto ditë, gjë që do të thotë se qendrimet janë përafruar, duke qenë shumë afër mundësisë që në këtë seancë ne të shkojmë së bashku. Me siguri që ky qendrim do të jetë i raportuar edhe në letër, pasi do të punojmë që përgatitjet për seancën t’i kemi përmbyllur përpara saj”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.

Krerët e koalicionit LAN kanë thënë se nuk bëhet fjalë për pranimin e kushteve të Vetëvendosjes në këtë fazë, por sipas Isa Mustafës parimet e diskutuara më herët tani janë përafruar.

Në takimin e rregullt mes liderëve të LAN-it është diskutuar edhe për rrugën, që do të ndjekin deputetët e tyre në vazhdimin e seancës konstituitive, më 12 Shtator.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u shpreh i sigurt se, pavarësisht formës së votimit për kryetarin e Kuvendit, asnjë deputet i LDK-së nuk do të tradhtojë partinë, ndërsa u shpreh i bindur se sërish do të rizgjedhet kryeparlamentar, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Do të shkojmë në Kuvend e do të respektojmë të gjitha procedurat kushtetuese të tij. Do të gjejmë hapësirë që vendimi ka parashikuar, që deputetët duhet të gjejnë zgjidhje, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht që zgjidhja të gjendet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndaj dhe do të jemi të qëndrueshëm në këtë synim”, deklaroi Isa Mustafa, kryetar i LDK.

Liderët e koalicionit paszgjedhor priten që në ditët e ardhshme të zhvillojnë takime me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për të diskutuar detajet finale të marrëveshjes, e cila sipas kërkesës së Vetëvendosjes duhet të jetë me shkrim dhe e firmosur para seancës së Kuvendit.

Top Channel