Festivali i Gjirokastrës në prill

08/09/2014 00:00

Festivali folklorik kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në datat 4-9 prill të vitit 2015. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila sqaroi se festivali nuk po zhvillohet këtë shtator, siç i takonte, për shkak se një vit më parë nuk u gjet asnjë praktikë e organizimit të tij dhe koha e përgatitjes sipas saj është një vit, arsye për të cilën edhe po spostohet.

Bashkë me Komitetin kombëtar të trashëgimisë jomateriale u vendos prilli si data e zhvillimit të eventit, si më e përshtatshmja për të bashkëpunuar mes ministrisë, institucioneve në vartësi të saj dhe pushtetit lokal.

“Pika e fortë e festivalit do të jetë bashkëpunimi dhe koordinimi mes Ministrisë së Kulturës, Qendrës së veprimtarive folklorike, si dhe me pushtetin vendor, kryesisht me Bashkinë e Gjirokastrës dhe qarqe të tjera të vendit”, deklaroi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri me dije se është hartuar statuti i festivalit dhe plani i veprimit. Konkurrimet do të bëhen në bazë qarku, me 12 grupe përfaqësuese sipas qarqeve, me rreth 50 artistë pjesëmarrës për secilin prej tyre.

Në programet e çdo qarku do të përfshihen edhe vlerat kulturore të minoriteteve. Një e veçantë e festivalit, sipas ministres është edhe përfshirja e artistëve shqiptarë jashtë kufijve të vendit.

“Festivali do të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, do ketë grupe përfaqësuese nga Kosova por edhe Maqedonia e Mali i Zi. Do ketë të ftuar grupe folklorike nga diaspora dhe arbëreshët në Itali, si dhe një shfaqje nga ansambli i këngëve dhe valleve popullore”, saktësoi Kumbaro.

Në bashkëpunim me Drejtorinë e trashëgimisë jomateriale është krijuar një bazë të dhënash ku janë regjistruar shoqata, ansamble e individë.

Në buxhet është parashikuar dhe një zë për kostumet popullore, në respekt të traditës, ndërsa skenografia do të jetë e re. Përpos festivalit, që promovon vlerat e trashëgimisë jomateriale, do të promovohen mes të tjerash edhe kulinaria vendase e artizanati.

Top Channel