Rihapet rasti “Kleçka”

05/09/2014 00:00

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka miratuar kërkesën e prokurorëve të EULEX-it për të rihapur sërish rastin “Kleçka” ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Siç ka njoftuar Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limajt, Gjykata e Apelit ka caktuar seancë dëgjimore për datat 17, 18, 23 dhe 25 shtator 2014.

“Gjykata ka planifikuar të dëgjojë përsëri disa dëshmitarë të cilët janë marrë në pyetje edhe më herët gjatë gjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila dy herë e ka sjellë aktgjykimin lirues për Fatmir Limajn dhe të tjerët”, ka deklaruar Gashi.

Koha e caktimit të seancave dëgjimore sipas avokatit Gashi përputhet me momentin tepër të ndjeshëm politik dhe kur dihet haptas përfshirja e Fatimir Limajt, që është edhe lider i Nisma për Kosovën, në përpjekjet për formimin e institucioneve shtetërore.

Në shtator të vitit të kaluar, për herë të dytë Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn dhe 9 bashkëluftëtarët e tij, të gjithë të akuzuar për krime lufte në fshatin Kleçkë, prej nga merr emrin dhe çështja.

Top Channel