Bregu: Keshilli te drejtohet nga PD-ja

05/09/2014 00:00

Propozimi i qeverisë që Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian të bashkëdrejtohet nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në Parlament nuk ka rënë në vesh të shurdhër nga ana e Partisë Demokratike.

Por, kjo nuk do të thotë se opozita pranon modelin e propozuar nga qeveria. Në përgjigjen zyrtare, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, e cila propozohet si bashkëkryetare, vë në dukje se struktura e propozuar mbetet e paqartë nëse është qeveritare apo është parlamentare. Dhe duke qenë e tillë, siç thotë zonja Bregu, mbivendos strukturat aktuale.

Megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi sipas ish-ministres së Integrimit është se modeli i propozuar nga qeveria nuk është modeli europian. Zonja Bregu shpjegon se ky nuk është refuzim i opozitës, por thjesht një kërkesë që qeveria të zbatojë standardin dhe modelin europian, ku Këshilli Kombëtar i Integrimit është një strukturë monitoruese e Parlamentit mbi qeverinë dhe ajo drejtohet nga opozita.

“Që do të thotë ndryshe të mos bëjnë asnjë shpikje, të mos shpikin modele të paqëna, eksperienca të patestuara dhe për më tepër qysh në fillimin e tyre dhe në konceptim kanë sigurimin e dështimit të plotë. Që do të thotë që i vetmi standard i zbatuar, e përsëris në Estoni, në Slloveni, në Kroaci, në Mal të Zi, në Maqedoni, ku ky proces është drejtuar nga Parlamenti, i kërkojmë qeverisë të zbatohet edhe në këtë rast në Shqipëri. Që do të thotë që Këshilli Kombëtar i Integrimit ka për kryetar përfaqësuesin e opozitës”, shpjegoi zonja Bregu.
 
Duke vënë në dukje jo pa ironi se modeli me bashkëkryetarë i propozuar nga qeveria dhe disa teknikalitete të tjera të propozura prej Ministrisë së Integrimit e kthejnë ekzekutivin në një sekretariat të Kuvendit, zonja Bregu shpjegon, siç ka bërë edhe në letër, se cila është formula e modelit europian të ngritjes së kësaj strukture parlamentare që monitoron ecurinë e negociatave të anëtarësimit.
 
“Që do të thotë që Këshilli Kombëtar i Integrimit ka për kryetar përfaqësuesin e opozitës, nënkryetar nga mazhoranca dhe anëtar me numër të barabartë votash, duke qenë një Këshill Konsultativ, nga forcat politike në Parlament, përfshirë shoqërinë civile dhe përfaqësues nga zyra e Presidentit, përfaqësues nga qeveria dhe nga institucionet e pavarura”, shtoi Majlinda Bregu.

Për këtë qëndrim opozita ka vënë në dijeni edhe delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, edhe Komisionin Europian në Bruksel, përfaqësuesit e të cilit do të jenë në Tiranë në fund të shtatorit për takimin e radhës së dialogut të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Nuk dihet nëse opozita do të marrë pjesë në këtë takim për shkak të bojkotit të Parlamentit, por sipas zonjës Bregu është qeveria ajo që duhet të ndryshojë qëndrim në raport me opozitën.

Gjë për të cilën ajo nuk duket se ka ndonjë shpresë: “Në një Parlament ku roli kontrollues i opozitës është dhunuar, është cunguar, ku të gjitha shfaqjet nuk kanë qenë shfaqje që kanë lënë hapësirë për bashkëjetesë politike, nuk kam shpresë se do të ketë ndonjë tërheqje nga mendimi i qeverisë.”

Gjatë intervistës së tij në “Top Story”, kryeministri Edi Rama i cilësoi si provinciale qëndrimet e fundit të opozitës, por sipas ish-ministres së Integrimit, Partia Demokratike nuk po kërkon asgjë më shumë sesa respektimin e të drejtave të opozitës dhe të shtetit ligjor: “Ky është një qëndrim dhe standard evropian. Në rast se kryeministri e sheh Evropën si provincë, po, ne jemi me standardin evropian. Faleminderit.”

Top Channel