Kosovë, shtyhet seanca konstituitive

04/09/2014 00:00

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 12 shtator për të vazhduar seancën konstituitive. Kjo datë u vendos nga kryesuesja e seancës, deputetja Flora Brovina në takimin që zhvilloi të enjten me përfaqësuesit e 11 subjekteve politike parlamentare. Në këtë takim nuk morën pjesë përfaqësuesit e bllokut paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje.

“Qëllimi i këtij takimi bazohet në aktgjykimin e Kushtetueses në rastin “K00119/14” të datës 26 gusht 2014, për vazhdimin e seancës konstituitive të legjislaturës së pestë, të filluar më 17 korrik të këtij viti e të ndërprerë nga ana ime, për të vazhduar më tuje”, deklaroi Brovina.

Përfaqësuesi i PDK-së në takimin konsultues, Enver Hoxhaj tha se mungesa e bllokut paszgjedhor në konsultimet për vazhdimin e seancës sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i dëmshëm. Megjithatë, Hoxhaj nuk ka dashur të flasë për dështimin e pritur të seancës së re, i bindur se deri atëherë do t’i bëjnë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Ne i bëjmë ftesë çdo kujt që është në jetën politike që ta ruajmë traditën e mirë që kemi pasur në Kosovë, që gjithmonë vendimet e gjykatës janë respektuar dhe çdoherë forcat politike kanë pasur madhësi shpirtërore, kanë pasur vizion politik që në situata të tilla të vënë interesin e shtetit e të qytetarit para interesave të ngushta individuale”, deklaroi Hoxhaj.

Deputetët e pakicave që të gjithë ishin pjesëmarrës në konsultime me Brovinën dhe janë treguar sërish të hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike shqiptare, ndërsa u kanë bërë thirrje atyre që të gjejnë gjuhë të përbashkët për formimin e institucioneve.

“Ne si minoritete apo si pakica jemi në pozitë të palakmueshme. Duhet të kuptoni këtë, se prej fillimit kam thënë se ne pakicat duhet të jemi neutralë. Kur po e them këtë, konsideroj se së pari partitë shqiptare duhet të tregojnë një pjekuri politike në atë aspekt që ata të kenë një bashkëpunim mes tyre dhe ne në fund të jemi një mbështetje shtesë që e përkrah shoqërinë kosovare”, tha deputeti serb Nenad Rashiç.

Seanca konstituitive e Kuvendit të Kosovës nuk u përmbyll me sukses më 17 korrik pasi sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e Isa Mustafës kryetar ishte jokushtetuese për shkak se nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që e propozoi kryetarin e Kuvendit.

Sipas vendimit të Kushtetueses, vetëm grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit ka të drejtë ta propozojë kryeparlamentarin.

Top Channel