Hetimi i “peshqve të mëdhenj”

02/09/2014 00:00

Prokuroria e Shtetit të Kosovës vihet në veprim për të luftuar krime në të cilat dyshohet se janë të përfshirë figura të fuqishme politike dhe të biznesit.

Për këtë qëllim ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit Sylë Hoxha njoftoi themelimin e një ekipi të veçantë hetimor i cili do të shënjestrojë 50 krime të rënda të cilat do të ndiqen. Në një konferencë për mediat, Hoxha tha se këtu do të jenë edhe ata që konsiderohen si “peshqit e mëdhenj” duke lënë të hapur mundësinë që numri i rasteve të mos mbetet në 50.

“Kemi formuar një ekip që do të evidentojë 50 raste, brenda të cilave do të jenë të përfshirë edhe “peshqit e mëdhenj”. Për momentin, fokusi ynë është tek 50 raste, por nuk është e thënë të mbeten vetëm kaq”, shpjegoi zoti Hoxha.

Në krye të këtij ekipi është vënë koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu dhe prokurori Elez Blakaj, i cili përfaqëson zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Fazliu përmendi vetëm një rast i cili po hetohet nga ekipi i sapothemeluar. Bëhet fjalë për një kompani nafte, por ai kërkoi të mos paragjykohen hetimet.”

Fazliu konfirmoi zotimin se të gjithë individët apo subjektet afariste do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht fuqisë apo ndikimit politik apo financiar që mund të kenë. Duke folur për rolin e zyrës që ai drejton, tha se është e fokusuar në sekuestrimin e përfitimive ose siç njihen “dobive pasurore” të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, por pa përjashtuar edhe vepra penale që ndërlidhen me drogë, trafikim të qenieve njerëzore etj.  

Top Channel