Dyshohet për vrasjen e një 14-vjeçarje, arrestohet këngëtari i njohur amerikan Dy qytete të lashta mbi 2000-vjeçare, të pasura në histori dhe objekte të trashëgimisë kulturore, mes tyre dy amfitteatro, tashmë me një projekt të përbashkët dhe së afërmi të binjakëzuara: Durrësi dhe Verona.
Dy kryetarët e bashkive të qyteteve përkatëse Vangjush Dako dhe Flavio Tosi, me iniciativën e deputetit socialist Artan Gaçi, firmosën dy marrëveshje: njëra për rekuperimin e amfiteatrit të Durrësit dhe funksionimin e tij edhe si arenë spektaklesh dhe tjetra për nisjen e procesit të binjakëzimit të dy qyteteve.
Vendi juaj ka një eksperiencë të gjerë në fushën e turizmit. Si mendoni ta shfrytëzoni për këtë binjakëzim dhe në çfarë konsiston ai?
Flavio Tosi: Binjakëzimi konsiston në një bashkëpunim të përgjithshëm në zhvillimin e turizmit sepse Veneto është rajoni i parë turistik i Italisë dhe Verona qyteti i katërt. Ka një aspekt specifik sepse Durrësi ka një amfiteatër të mrekullueshëm. Verona ka arenën më të madhe në botë për përdorim spektaklesh, ndaj mund të bëhet një rekuperim i amfiteatrit të Durrësit së bashku me Bashkinë e Veronës, atë të Durrësit, Ministrinë e Kulturës shqiptare dhe entin e arenës që drejton spektaklet, duke kërkuar fonde nga kooperacione ndërkombëtare dhe Bashkimi Europian. Projekti i meriton dhe ne jemi krenarë për këtë bashkëpunim. Sigurisht, duhet të vijnë këtu delegacione me specialistë dhe teknikë. Ne kemi të tillë, të cilët prej dhjetëra vitesh mirëmbajnë Arenën, ndaj dimë si të kryejmë ndërhyrjet e restaurimit, rekuperimit, gërmime dhe kërkime. Grupe të tilla duhet të vijnë këtu për të parë situatën aktuale dhe për të studiuar bashkë me autoritetet lokale një proces rekuperimi i cili është kompleks, por shumë i mirë, pasi të mendosh si është tani dhe sesi mund të jetë në lidhje me turizmin, evente spektaklesh… Për shembull, sot Arena e Veronës është elementi parësor i thithjes së turistëve.
Durrësi ofron një det të bukur. Ka mundësi zhvillimi, rekuperimi dhe rritjeje të rëndësishme. Ne vijmë nga një vend që ka ditur t’i japë vlera më së miri këtyre trashëgimive, pasi janë të ngjashme. Pra, të përballim eksperiencat dhe t’i bashkojmë edhe sepse kemi afërsi kulturore.
Vangjush Dako: Është një inisiativë e nisur 2 muaj më parë gjatë një vizite që ne patëm në qytetin e Veronës dhe nuk ngelëm vetëm në kuadrin e fjalëve, por nënshkruam një marrëveshje. Kjo marrëveshje nuk i shërben vetëm qytetarëve të Durrësit që jetojnë në Durrës, por edhe atyre që jetojnë në Verona.
Francesco Girondini, pergjegjes i Arenës së Veronës: Kemi një festival lirik nga viti 1913. 101 vite tashmë. Teatri ynë ka 14 mijë vende dhe është shumë i rëndësishëm për jetën kulturore të qytetit, por është dhe një burim të ardhurash turistike, rreth 450 milionë euro. Pra, nga lirika janë siguruar të ardhura të rëndësishme. Kjo është dhe ideja e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, pra të ketë një arenë për të realizuar spektakle. Amfiteatri i Durrësit mund të jetë si një arenë e vogël. Ashtu sikurse folëm me kryeministrin dhe me dy kryetarët e bashkive, mund të vëmë në dispozicion ekpseriencën tonë mbi 100-vjeçare. Kemi një fondacion lirike me orkestër, trupa baleti, kor dhe laboratorë ku krijojmë kostumet dhe skenat, të cilat mund t’i vëmë në dispozicion. Ky binjakëzim shërben për një bashkëpunim të ardhshëm.
Massimo Gaiani, ambasador i Italisë: Kjo marrëveshje nis fillimin e një bashkëpunimi për të cilin jam i sigurtë se do të sjellë fryte të mëdha për të dyja qytetet.
Top Channel