Blloku i lë një javë kohë Thaçit

01/09/2014 00:00

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në cilësinë e kryesueses së Kuvendit ka kohë deri në fund të kësaj jave që të thërrasë seancën konstituitive, përndryshe këtë do ta bëjnë deptuetët e koalicionit paszgjedhor, LDK-AAK-Nisma. Kjo u bë e ditur pas një takimi mes krerëve të tri subjekteve politike në fjalë.

“Një nga detyrat mund të jetë thirrja e seancës nëse ka vonesë. Nëse nuk thirret brenda kësaj jave, ne do të veprojmë. Gjithashtu, ne po punojmë për të gjetur zgjidhjen në rast se do dështojnë pikat e rendit të ditës”, deklaroi kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

Mustafa, Haradinaj dhe Limaj rikonfirmuan vendosmërinë e drejtë për të vazhduar projektin e përbashkët. Pretendenti për kryeministër, Ramush Haradinaj i quajti “balona” deklaratat e kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi, për realizimin e projektit “Misioni i Ri”.

Haradinaj po kështu mohoi zërat se ndërkombëtarët po bëjnë presion për krijimin e qeverisë gjithëpërfshirëse, duke përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me PDK-në.

“Janë balona që lëshohen në këto raste. Dëmi është i madh, pasi po u bëhet qytetarëve sepse vendi po qeveriset nga një qeveri në ikje. Ideja e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve është e PDK-së dhe e sponsorëve të saj. Asnjë nuk do të ndërhyjë. Presioni i vetëm është nga qytetarët”, tha Haradinaj.

“Ne do vijojmë të punojmë bashkarisht dhe besojmë se Kuvendi me shumicë votash do vendosë për misionet e ardhshme të Republikës së Kosovës dhe për këtë kemi bindjen e plotë të subjekteve tona”, tha Mustafa nga ana tjetër.

Edhe Fatmir Limaj i bëri thirrje deputetes Brovina që të zbatojë detyrimin që buron nga Kushtetuta, në mënyrë që të krijohen institucionet sepse nuk ka kohë për të humbur.

Top Channel