“Na qëlloi një burrë me uniformë serbe”

29/08/2014 00:00

Ardian Brahimi ka mbetur i vrarë, ndërsa dy vëllezërit e tij, Alberti dhe Albioni janë plagosur nga një serb me uniformë të ushtrisë serbe në malet e Kollodovës në Mitrovicë, brenda territorit kosovar.

Ata kishin shkuar të premten në mëngjes për të prere  dru në mal, por derisa ktheheshin u ka zënë pritë një burrë me uniformë ushtrie i cili i ka qëlluar me armë zjarri dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

18-vjeçari Ardian Brahimi nuk ka arritur t’u mbijetonte plagëve të marra nga automatiku, ndërsa dy vëllezërit e tjerë, Alberti 19 vjeç dhe Albioni 16, edhe pse me plumba në trup kanë arritur të shpëtojnë, ndërsa ndodhen për trajtim në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Edhe pse ende është i tronditur nga ngjarja, Albioni ka treguar për sulmin që u ka ndodhur.

“Ne kemi qenë duke ardhur kur na ka dalë një serb dhe na ka gjuajtur. Ai ka qenë në uniformë të ushtrisë serbe”, thotë i riu.

Vëllai i madh i Albionit, Alberti për shkak të plagëve të marra po vazhdon të mbahet në emergjencë, ndërsa mjekët thonë se ai është ende në rrezik për jetën.

“Bëhet fjalë për plagë në regjionin torakal në gjoks, ndërsa plaga e dytë është bark. Të gjitha lëndimet kanë prekur organe të brendshme, të mushkërive ndërsa plumbi i dytë është plagë e shkaktuar në organet abdominale, gjegjësisht në mëlçi”, thotë mjeku Basri Lenjani, Drejtori i Emergjencave.

Derisa prindërit e dy të plagosurve kishin mbetur në Morgun e Mitrovicës me trupin e pajetë të Ardianit, në Emergjencën e Prishtinës nga familjarët e viktimave kishin ardhur disa kushërinj.

“Janë zgjuar në mëngjes për të shkuar në mal me marrë dru. Kanë hasë në pritë, sigurisht të serbit që i ka gjuajtur me automatik ku një e ka vrarë dhe dy tjerët i ka plagosur rëndë”, rrëfen një familjar i tre vëllezërve.

Policia e Kosovës bashkë me prokurorët po vazhdojnë ekzaminimin e vendngjarjes, ndërsa deri tani nuk kanë gjetur ndonjë provë apo person të dyshuar.

Top Channel