Chelsea Clinton braktis punën në televizion

28/08/2014 00:00

Chelsea Clinton ka vendosur të heqë dorë nga puna në televizion pasi së shpejti pritet të bëhet nënë dhe ka vendosur që t’i dedikohet me kohë të plotë familjes së saj.

Në muajin prill Chelsea bëri të ditur lajmin se ishte shtatzënë. Ajo punonte si korrespondente e rrjetit televiziv NBC qysh prej vitit 2011 dhe kishte një pagë vjetore prej 600 mijë dollarë.

Vajza e Bill dhe Hillary Clinton, 34 vjeç, ka shkruar në Facebook dhe Twitter për shkëputjen nga gazetaria, por duke mos përjashtuar faktin që mund të rikthehet të punojë me familjen televizive NBC në të ardhmen.  

NBC ka marrë shumë kritika për faktin që një korrespondeteje i dhuroi një pagë shumë të majme duke patur parasysh që një korrespondent i rrjetit në vitin e parë të punës fiton nga 100-200 mijë dollarë në vit.

Clinton merrej me kronika të personazheve të jashtëzakonshëm dhe me tema sociale për shkollat dhe në janar u transmetua një raport i saj mbi një zinxhir restorantesh që dhuronin ushqim për njerëzit në nevojë.

Por, siç shkruan edhe “Washington Post”, raportimet e saj nuk ishin aq të jashtëzakonshme për të justifikuar pagesën e saj. Dikush ka bërë një llogari që Chelsea Clinton fitonte rreth 27 mijë dollarë për çdo minutë që ishte në transmetim.

Top Channel