Venizelos interpelanca për Shqipërinë

27/08/2014 00:00

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos i është përgjigjur interpelancës që i ka kërkuar deputeti i Agimit të Artë, Ilias Panajotaros në datën 27 korrik, për sa i përket procesit të reformës territoriale të Shqipërisë.

Midis të tjerash, numri dy i qeverisë greke, deklaron se Athina zyrtare ndjek zhvillimet në vendin fqinj, ndërsa i ka bërë të qartë udhëheqjes së lartë shqiptare shqetësimet e saj për ndërhyrjet e padëshirueshme që janë bërë në reformën territoriale dhe që kanë të bëjnë me minoritetin grek.

Në përgjigjen e tij që publikohet edhe në faqen e Ministrisë së Jashtme, Venizelos thekson se, “Tiranës i është thënë që reagimet e homogjenëve grekë nuk do të injorohen nga Athina dhe opinioni publik grek. Ministria e Jashtme e Greqisë ka shfaqur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj dhe pret nga qeveria shqiptare të respektojë gjithë premtimet në nivel dypalësh dhe atë europian”-shton ai.

Kreu i diplomacisë greke pohon se, “përfundimisht u arrit synimi që 8 fshatra minoritarë në prefekturën e Sarandës të qëndrojnë në bashkinë e re të Livadhiasë, përveç Çukes. Por nga ana tjetër, Bashkia e Himarës u bashkua me komunën e Lukovës dhe Vranishtit, fakt, që sipas tij, nuk pasqyron karakterin demografik të zonës ku jetojnë minoritarët, ashtu siç ka deklaruar edhe në Parlamentin shqiptar Kryeministri Rama”.

Pasi përmend në përgjigjen e tij se cilët prej deputetëve shqiptarë me prejardhje minoritare kanë votuar apo jo, ligjin e ri të reformës territoriale, Venizelos deklaron se, “Shqipëria detyrohet nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare të respektojë dhe të mbrojë të drejtat njerëzore dhe ato të pakicave kombëtare në territorin e saj. Në këtë kuadër, thotë ai- Greqia ndjek nga afër gjendjen e minoritetit në gjithë Shqipërinë dhe deklaron se respekti i plotë i të drejtave të këtij minoriteti dhe zbatimi i premtimeve dhe detyrimeve të palës shqiptare përbëjnë një faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe kriter për ecurinë europiane të vendit fqinj në nivelin që Greqia bashkëpërgatit vendimet e BE-së në lidhje me të”.

Në një interpelancë tjetër për sa i përket çështjes së varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, Venizelos sqaron se periudha parazgjedhore në Shqipëri e më pas ndryshimi i qeverisë, kanë shkaktuar vonesa në negociatat dypalëshe për përfundimin e kësaj çështjeje dhe thekson se ka marrë fjalën e homologut Bushati në majin e kaluar në Selanik, se së shpejti do të rifillojnë bisedimet e komisioneve dypalëshe. 

Top Channel