Punime për rehabilitimin e Kodër Vilës

25/08/2014 00:00

Në Durrës vijon puna për rehabilitimin e Kodër Vilës. Aktualisht punimet janë përqëndruar në parandalimin e rrëshqitjeve të dheut nëpërmjet ripyllëzimit dhe tarracimit të kodrës, një nga pikat më të bukura të qytetit bregdetar.

Ndërsa siguria teknike e kodrës po realizohet përmes vendosjes së rrjetave mbajtëse dhe mbjelljes me bar e me pemë akacie, rrapi e selvie, në mënyrë që të shmangen rrëshqitjet.

Projekti gjithashtu parashikon kthimin e kodrës në një park me shëtitore, stola, ndriçim dhe vende për piknik e shëtitje me biçikleta. Ndërtimet e shumta dhe shpyllëzimi i Kodër Vilës pas vitit 1990 e kthyen këtë zonë në një rrezik të vazhdueshëm për qytetarët.

Pas çdo reshjeje shiu nga shpatet e kodrës shkëputeshin masive të tëra dheu që bllokonin rrugën dhe kthyen në të pabanueshme dhe të pashfrytëzueshme shtëpitë dhe bizneset e ngritura në kodër e rrëzë saj.

Projekti që kap vlerën e 240 milionë lekëve nisi të zbatohet në fillim të kësaj vere. Punimet parashikohet të mbarojnë në fund të këtij viti duke i kthyer qytetit të Durrësit një nga zonat më të bukura dhe më të frekuentuara dikur.

Top Channel