Protesta e ndërtuesve të HEC-it

25/08/2014 00:00

Kreu i konfederatës së sindikatave, Kolë Nikolla, pas takimit pa asnjë rezultat që pati me administratorin e kompanise turke “Limak” u bëri thirrje ministrive të linjës të fillojnë ndërmjetësimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Që nga sot, në përputhje me ligjin, ne do të kontaktojmë Ministrinë e Mirëqënies Sociale, që nesër do të mbledhë në zyrën e punës në Elbasan komitetin e ndërmjetësimit, që detyron punëdhënësin të realizojë kontratën kolektive dhe marrëdhëniet me sindikatën. Por kompania duket se ka mangësi ligjore dhe kjo nuk është faji i punëtorëve”, deklaroi Kolë Nikolla.

Ndërkohë, punonjësit protestues kanë marrë sot një shkresë nga ana e kompanisë, që i paralajmëron me prishje të njëanshme të kontratës nëse brenda 3 ditëve punonjësit nuk rikthehen në detyrë. Në këtë shkresë thuhet se protesta po dëmton moralisht dhe ekonomikisht kompaninë dhe ndaj punonjësve do të merren masa.

“Unë jam punonjës i firmës dhe në këtë letër e kanë shpallur që largohem nga puna nëse nuk shkoj në punë në datë 26. Por nëse nuk plotësohen kërkesat tona sipas kodit të punës, ne nuk kthehemi në punë dhe do vazhdojmë protestat tona”, tha një punëtor.

Neni 197/2, pika 3 e Kodit Shqiptar të Punës parashikon që punëdhënësi ndalohet që gjatë zhvillimit të grevës të zëvendësojë në punë grevistët me persona të tjerë, të cilët në kohën e shpalljes së grevës nuk kanë qenë punonjës të tij, si dhe nuk lejohet të marrë punonjës të rinj pas kësaj date, çka do të thotë që “Limak” po ushtron presion ndaj punonjësve.

Këta të fundit deklarojnë se do të vazhdojnë protestat dhe nuk do të rikthehen në punë deri në plotësimin e kërkesave të tyre që kanë të bëjnë me nënshkrimin e një kontrate kolektive, zbatimin e 8 orarëshit zyrtar dhe pagesën e orëve shtesë apo të ditëve të pushimit.

Top Channel