Nishani: Qeveria, autoritare

25/08/2014 00:00

Në ditën e dytë të qëndrimit në Austri, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Europian “Alpbach 2014”, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mbajti një fjalim në panelin “Nga pajtimi në integrim; Kontributi i rinisë për një të ardhme të përbashkët”.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit nuk i ka kursyer edhe kritikat për qeverinë “Rama”, duke i cilësuar qëndrimet e saj si autoritare.

“Ndryshimi i mentalitetit është sfida më e vështirë e shoqërisë shqiptare dhe e shoqërive pastotalitare në përgjithësi. Mungesa e tolerancës dhe konsensusit dhe qëndrimi i dyfishtë me kërkesa për standarde të larta demokratike në opozitë dhe qëndrimet autoritare në pozitë, qëndrimi në pritje në vend të marrjes së nismave janë shfaqje e mentalitetit të shkuar, të cilat ngadalësojnë procesin e zhvillimit të demokracisë dhe të reformave”, tha Presidenti Nishani.

Më tej kreu i shtetit përmendi dhe rëndësinë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, duke theksuar se vendet tona të Ballkanit Perëndimor janë “pasagjerë” të të njëjtit tren, që ka për stacion final Bashkimi Evropian.

Në fjalën e tij Nishani foli për rëndësinë e stabilitetit dhe për një sërë nismash ku janë përfshirë vendet e rajonit.

Top Channel