Dyshohet për vrasjen e një 14-vjeçarje, arrestohet këngëtari i njohur amerikan Përfundimi i edicionit të XIII-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe atij të shkurter “DokuFest” mblodhi në Prizren edhe dy kryeministrat, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe i Shqipërisë, Edi Rama.
Në një qytet të blinduar nga masa të larta sigurie, dy kryeministrat shëtitën disa minuta dhe madje pinë kafe buzë lumit Lumbardh.
Një vit më parë në po këtë qytet nënshkruan Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës nënshkruan marrëveshjen për mbështetje qeveritare të këtij festivali.
Duke folur për Top Channel përpara ceremonisë Kryeministri shqiptar Edi Rama vlerësoi se “DokuFest” tashmë është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të shqiptarëve.
“DokuFest është shprehja më kuptimplotë e një grupi njerëzish që tanimë është kthyer në institucionin më të rëndësishëm kulturor të shqiptarëve. Duket se sa më shumë rritet ka nevojë për më pak mbështetje, por në fakt e kundërta është e vërtetë. Sa më shumë rritet aq më shumë ka nevojë për mbështetje. Besoj që DokuFest është pika më e fortë e kalendarit të përbashkët kulturor që ne kemi realizuar mes dy qeverive për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi Rama.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi “DokuFest” si një ndër ngjarjet më të rëndësishme në vend.
“DokuFest është një vendtakim i shumënjerëzve, i gjitha vendeve të rajonit, shumë artistëve, regjisorëve, gazetarëve. Këtij festivali gjithnjë e më shumë po i jepet rëndësi jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe botëror, ndaj duhet të rrisim angazhimet tona si dy qeveri. Falenderoj zotin Rama për mbështetjen e tij dhe kam besim të plotë që ky festival do të rritet edhe më tej”, deklaroi Thaçi.
Gjatë ceremonisë përmbyllëse të festivalit teksa po ndante çmimin për dokumentarin më të mirë në konkurencën kombëtare, kryeministri Rama iu bashkua protestës së drejtorit të festivalit kundër shndërrimit të kinemasë Lumbardhi në qendër tregtare ose parking, si kinemaja më e vjetër në qytet dhe e vetmja nën qiell të hapur në Kosovë.
Filmi “Evaporating Borders” i regjisores Iva Radivojeviç, bashkëpunim amerikano-qipriot mori çmimin kryesor si dokumentari më i mirë i Ballkanit.
Filma të tjerë të shpërblyer nga juria profesionale ndërkombëtare ishin: dokumentari më i mirë i metrazhit të gjatë filmi “ Domino Effect”, metrazhi i shkurtër “La Reina”, dokumentari më i mirë për të drejtat e njeriut filmi “Judgment in Hungary”, dokumentari më i mirë për mjedisin “Metamorphosen”, filmi më i mirë i shkurtër “Subtotal”, më i miri në garën kombëtare “Heshtje” dhe çmimi i publikut i takoi filmit kosovar “Përqafimi”.
Tryeza pune, panele, ligjerata dhe debate ishin pjesë e programit të këtij edicioni të “DokuFest”.
Policia e Kosovës kishte vënë në dispozicion mbi 100 efektivë të profileve të ndryshme për të siguruar qytetin dhe mbarëvajtjen e festivalit.
Top Channel