Presidenti Nishani në Austri

24/08/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë në Seancën e hapjes së bisedimeve politike të Forumit Evropian “Alpbach” 2014, i cili zhvillon punimet në Qendrën e Konferencave “Alpbach”.

Në këtë Sesion me temë ‘Politika në udhëkryq” ishin të pranishëm personalitete të larta politike austriake, nga Bashkimi Evropian, nga vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga Europa Juglindore, përfaqësues të medias dhe të rinj të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës.

Të pranishmit i përshëndeti Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Baronesha Catherine Ashton, Presidenti Federal i Austrisë, Heinz Fischer dhe Presidenti i Forumit “Alpbach”, Dr. Franz Fischler.

Në ditën e dytë të Forumit, të hënën më 25 gusht, Presidenti Nishani do të marrë pjesë edhe në panelin e Forumit me temë “Nga pajtimi në integrim: Kontributi i rinisë për një të ardhme të përbashkët” ku do t’i drejtohet të pranishmëve me një fjalim. Gjatë qëndrimit në “Alpbach”, Kryetari i Shtetit shqiptar pritet të zhvillojë takime dhe bisedime dypalëshe me një sërë personaliesh të larta politike dhe ekonomike.

Top Channel