Politikë dhe art në Berlin

23/08/2014 00:00

Vizita e kryeministrit Edi Rama në Gjermani për konferencën ballkanike nuk do të mbarojë mbrëmjen e datës 28 gusht pas darkës me kancelaren Angela Merkel.

Top-Channel ka mësuar se shefi i qeverisë shqiptare do të qëndrojë atje edhe të nesërmen, por jo si kryeministër. Si artist ai do të marrë pjesë në një ekspozitë që organizohet nga artisti i famshëm gjerman Michael Schulz.

Në edicionin e datës 13 gusht të buletinit të Galerisë Schulz, raportohet për një vizitë të vetë këtij artisti në Tiranë, në zyrën e Edi Ramës, ku thuhet:

“Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë mund të relaksohet duke përdorur lapsat me ngjyra mbi axhendën e punës. Zyra është njëkohësisht edhe studioja e artistit, dhoma e tij e punës është bërë muzeu i tij. Me zemër e shpirt ai është një artist dhe mbetet i tillë edhe duke qenë kryetar qeverie”.

Ndërsa si diçiturë e fotos është zgjedhur ky koment: “Në tavolinën e kryeministrit shqiptar Edi Rama nuk ka vetëm rutinë të përditshme politike.

Aty gjatë ditës prodhohet gjithashtu art. Bazën e përbëjnë fletët e kalendarit të punës ku mbi to ai skicon pikturat e veta, përgjithësisht surreale e plot ngjyra. Piktura është kundërpesha e brendshme më e shkëlqyer e punës se tij si politikan.

Michael Schulz është interesuar për krijimtarinë e kryeministrit shqiptar kur ka rënë në kontakt me të përmes librit artistik të Edi Ramës. Ndërsa pjesëmarrja e kryeministrit si artist në ekspozitën e fundgushtit mund të jetë prologu i një ekspozite vetjake të tij në të ardhmen.

Top Channel