Shqipëria ime, Kruja

14/08/2014 00:00

E pozicionuar në 600 metra lartësi në shpatin e malit që ka emrin e saj, gjendet Kruja, një qytet i vogël, por i pasur në histori, objekte të trashëgimisë kulturore e i rrethuar nga bukuri natyrore.

Ky vend, sipas historianëve është banuar që në shekullin e tretë para Krishtit. Ka qenë qendër e fortifikuar e fisit ilir të albanëve. Kohë më pas u bë epiqendra e shtetit të parë feudal shqiptar Principata e Arbërit, duke patur shkëlqimin e tij në shekujt e XIII-XIV.

Në fillim të shekullit të XV bie nën sundimin osman për t’u kthyer në mes të shekullit në kryeqendër të rezistencës vendase ndaj osmanëve nga Heroi i Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një figure e lidhur ngushtë me qytetin, ku ai zhvilloi beteja të rëndësishme, duke i dhënë Krujës asokohe vëmendjen e vendeve europiane që kërcënoheshin nga osmanët.

Në nder të tij, brenda Kalasë së Krujës, Muzeu Historik Kombëtar mban emrin e këtij heroi.  

Muzeu përmban pavione me periudha që nisin nga lashtësia, për të vazhduar me Mesjetën e deri në periudhën e realizmit socialist. Një hapësirë e gjerë i është dedikuar sigurisht Skënderbeut.

Nga ballkoni i muzeut mund të shijohen peisazhe. Brenda kalasë, e cila është ndërtuar fillimisht në shekujt e VI-VII dhe rindërtuar më pas në shekujt XI dhe XII mund të vizitohen edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore si Muzeu Kombëtar Etnografik, një shtëpi e ndërtuar nga Toptanasit në shekullin e XVIII.

Teqeja e Dollmes, e ndërtuar në 1789-ën nga familja Dollma, objekt kulti bektashian.

Pranë teqesë, Hamami i Kalasë. Me një lartësi prej 16 metrash është Kulla e Sahatit, e përdorur në mesjetë si kullë vrojtimi. Pranë kalase, Pazari i Vjetër, ndërtuar 400 vite më parë, sot një pjesë e mirë e tregtarëve prodhojnë e shesin objekte tradicionale.

Pak kilometra nga qyteti në majë të Malit të Krujës gjendet Shpella e Sarisalltikut, misionarit mysliman, ku ndodhet edhe kjo teqe. Një legjendë rreth tij rrëfen se shpëtoi jetën e vajzës së Princit të Krujës nga Kuçedra e Malit.

Dhe për të mbetur tek legjendat, një tjetër e njohur në zonë është ajo e Shkëmbit të Vajës, po në Malin e Krujës nga ku sipas saj 90 vajza u hodhën prej këtej për të mos rënë në duart e pushtuesve osmanë.

Nga mali, por edhe pikat më të larta të qytetit mund të shikohet edhe deti Adriatik. Për t’u shijuar në veçanti perëndimi i diellit.

Top Channel