Kalaja e Vasiliqisë në Porto Palermo, për dy ditë u pushtua nga artisët bashkëkohorë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët e shndërruan këtë kala në një skenë arti. Andi Tepelena, drejtuesi i festivalit “Art Kontakt” tregon eksperiencën dhe qëllim e këtij festivali.
“Ishte një festival, i cili ka formatin e vet ndërkombëtar, me artistë nga Shqipëria, nga Kosova, nga rajoni. Ky është një festival ndërkombëtar që synon promovimin e artit bashkëkohor në Shqipëri dhe jashtë saj. Është në formulën tonë që t’i afrojmë të rinjtë me monumentet e kulturës, në mënyrë krijuese, pra të promovojmë trashëgiminë tonë kulturore nëpërmjet artit bashkëkohor, nëpërmjet gjuhëve artistike dhe teknikave të ndryshme”, u shpreh Andi Tepelena, Drejtuesi i festivalit “Art Kontakt”.
Ky festival quhet ‘Uncharted’, i paeksploruar, pikërisht sepse kjo hapësirë gjeografike nuk raportohet si një vend historik, por si një vend ku histori të tjera lindin. Sipas Tepelenës, qëllimi i tyre nuk është vetëm zhvillimi i një festivali të artit bashkëkohor, por afrimi i njerëzve me monumentet e kulturës.
“Nëpërmjet një fushate të gjatë ne angazhuam burime njerëzore të jashtëzakonshme, duke filluar nga artistët, por edhe njerëzit e kulturës, arkitektë, antropologë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore. Ky ishte një aksion, një projekt kulturor i mirëfilltë, ku në vetvete synonte pikërisht këtë qasje me trashëgiminë tonë kulturore, duke përdorur instrumente të artit bashkëkohorë. Mesazhet tona kanë qenë dhe për një turizëm të qëndrueshëm, duke përdorur monumentin e kulturës si faktor atraktiv, për një ambient të shëndetshëm dhe të pastër. Kjo ishte edhe një lloj thirrje ndaj strukturave shtetërore që të tregojnë vëmendjen e duhur për këtë monument të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Mesdhe”, shtoi Tepelena.
Këtë vit, festivali “Art Kontakt” u bë pjesë e programit të mbështetur nga Komisioni Europian, ADRIFORT, i cili ka për qëllim mbështetjen dhe kujdesen e fortifikimeve detare në zonën e detit Adriatik dhe Jon.
Top Channel