Rikthimi i mundimshëm i emigrantëve

11/08/2014 00:00

Fundjava është shoqëruar me radhë dhe pritje të gjata në një prej pikave kufitare të vendit. Radhët kilometrike, sikurse herë të tjera në këtë sezon, janë rikthyer në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pasi emigrantët kanë përfunduar pushimet në atdhe e kanë nisur të largohen drejt vendit fqinj.

Si në çdo verë, kthimi i emigrantëve në shtetin grek shndërrohet në një kalvar të gjatë mundimi për shkak të vonesave që shkaktohen nga pala greke në doganë.

Pas mesditës së të djelës, në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pala greke thuajse ka pezulluar punën, duke punuar me ritme tepër të ngadalta dhe duke i lënë emigrantët në radhë. Ajo ka vënë në dispozicion vetëm dy sportele që e kanë pasur të vështirë përballimin e fluksit.

Sërish territori doganor në pjesën neutrale, por edhe në pjesën shqiptare është mbushur me automjete dhe emigrantë që prisnin të kalonin përtej kufirit. Radha e automjeteve ka qenë në dy korsi.

Pala greke, pavarësisht shtimit të fluksit nuk ka marrë asnjë masë për shtimin e sporteleve, duke i lënë emigrantët, mes të cilëve gra dhe fëmijë, në në pritje. Ndërsa pala shqiptare ka vënë në dispozicion të emigrantëve 5 sportele.

Top Channel