“Këshilli Mbikqyrës i BSH ka dështuar”

11/08/2014 00:00

Neritan Kallfa, një nga hartuesit kryesor të ligjit për Bankën e Shqipërisë thotë se ky institucion ka probleme të thella funksionale që lidhen me Këshillin Mbikqyrës.

“Një institucion nuk mund të funksionojë nëse nuk funksionojnë të gjitha mekanizmat e krijuar me ligj për këtë institucion. Nëse funksioni i Këshillit Mbikqyrës nuk përmbushet siç siç duhet, pa dashur ngrihet një mit tjetër, miti i Guvernatorit. Nëse kjo bëhet me qëllim apo pa qëllim këtë ta gjykojë parlamenti sepse atij i takon, është ai që e ka drejtpërdrejtë në kontroll Bankën e Shqipërisë”, thotë eksperti Kallfa.

Për 12 vjet këshilltar ligjor në Bankën Qendrore, zoti Kallfa thotë se ligji është hartuar në mënyrë që antarët e Këshillit të jenë të pavarur nga Guvernatori dhe drejtimi ekzekutiv i bankës.

“Anëtarët nuk duhet të kenë konflikt interesi, duhet të jenë të paanshëm. Në momentin që kanë interesa që i lidhin për hir të lidhjeve, raporteve, angazhimeve, apo premtimeve, apo shpërblimeve të dhëna në një formë të caktuar atëherë vendimarrja cënohet”, shton ai.

Përfshirja në interesa personale dhe afrimi me drejtuesit ekzekutiv të Bankës ka kompromentuar rolin e Këshillit duke çuar në dobësimin e tij.

“Si dëshmitarë nga jashtë i institucionit, institucioni gjithmonë ka lëshuar në Këshillin Mbikqyrës. Kjo ka sjellë edhe shfaqjen e problemeve në forma të ndryshme”, thotë eksperti ligjor, Neritan Kallfa.

Por si mund të korrigjohet kjo situatë nga jashtë. Kallfa thotë se ka vetëm një institucion dhe ai është parlamenti, i cili i ka të gjitha mundësitë për të ndërhyrë nëse e gjykon të nevojshme.

“Marrim rastin më ekstrem. Nëse gjyjkohet që kjo vërtetet përbën problem, ndërhyn. Ndërhyrja është në ligj. Nuk mund të dalë asnjë organ sipër parlamentit sepse vetë ligji është hartuar mbi bazën e disa parimeve ndërkombëtare. Nuk është e thënë që këto parime të gjejnë vend në një sistem të caktuar sic është Shqipëria. Këto testohen dhe nëse nuk funksionojnë, atëherë do të thotë që nuk shërbejnë. Nuk duhet të jemi gjithmonë të kufizuar që nuk na lë ligji dhe kaq!”, mbyll fjalën e tij për Top Channel, eksperti Kallfa.

Prej ditësh në shumë qytete, qytetarët po hedhin firmat për të detyruar Kuvendin që të mblidhet dhe të shkarkojë guvernatorin, pas skandalit të vjedhjes së thesarit në Bankën e Shqipërisë nga disa punonjës të saj.

Top Channel