Kosovë, kontrolle makinave me targa të huaja

10/08/2014 00:00

Kohëve të fundit, Dogana dhe Policia e Kosovës kanë shtuar kontrollin për automjetet me targa të huaja, të cilat drejtohen nga shtetas të Kosovës, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve. Kjo ka prekur edhe shumë biznese të Shqipërisë, të cilat kanë përfaqësitë e tyre në Kosovë, duke krijuar kështu pengesa në shfrytëzimin e automjeteve me targa shqiptare nëpër territorin e Kosovës.

“Jo pak shoferë kosovarë, të cilët janë të punësuar në biznese të Shqipërisë, që operojnë në Kosovë, ndalohen nga policia dhe doganat, me arsyetimin se nuk kanë të drejtë të ngasin automjetin me targa shqiptare, pavarësisht autorizimit nga kompania. Në këtë rast ata rrezikojnë gjobë dhe konfiskim të automjetit”.

Një qasje e tillë konsiderohet si barrierë për funksionimin e bizneseve nga Aleanca Kosovare e Bizneseve. Drejtori Agim Shahini tha për Top Channel se ka kërkuar nga dogana, që të ofrojë zgjidhje afatgjatë.

“Kërkojmë që bizneset e Shqipërisë që operojnë në Kosovë e që kanë mjetet e tyre, të mos pengohen e të operojnë lirshëm në Kosovë sepse po punësojnë njerëz këtu, si dhe kanë nevojë t’i shfrytëzojnë mjetet e tyre. Për këtë, kemi hasur në mirëkuptim me palën e doganës, të cilët kanë garantuar se kjo nuk do të ndodhë, gjithsesi kemi raste kur atyre u janë konfiskuar veturat, duke u trajtuar njësoj si me të huajt e tjerë. Mendoj se doganat e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit ndaj bizneseve”, tha Agim Shahini, drejtor i Aleancës Kosovare të Bizneseve.

Në fakt është ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, i cili nuk lejon drejtimin e automjetit me targa të huaja nga shtetasit e Kosovës. Ekziston periudha prej 8 ditësh, brenda të cilës duhet të paguhet dogana e automjetit me targa të huaja, i cili konsiderohet si import. Kjo, padyshim, vlen edhe për automjetet që hyjnë nga Shqipëria.

“Mjeti i regjistruar jashtë territorit të Kosovës nuk mund të drejtohet nga personi tjetër, ose nga personi i autorizuar. Kjo gjë mund të ndodhë vetëm në rastet kur pronari i mjetit është prezent. Policia e Kosovës, në rastet kur has persona të tillë, që janë në kundërshtim me këtë nen, ndërmerr veprimet e saj duke ndaluar mjetin dhe menjëherë kontakton me doganën e Kosovës, e cila është kompetente për të vazhduar me procedura të mëtejshme”, u shpreh Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Por, edhe në këtë pikë duket se ka një zgjidhje. Kodi doganor i Kosovës, përkatësisht udhëzimi administrativ që interpreton kodin, thotë se për të pasur mundësi, që një biznes i huaj t’i shfrytëzojë makinat e veta në Kosovë, duhet që shoferi – i cili është i punësuar në kompani – ta ketë të theksuar detyrën e tij në kontratën e punës.

Sipas zyrtarëve të doganës, shoferi duhet të mbajë edhe një kopje të kontratës në mesin e dokumenteve të automjeteve, me të cilin do të dëshmojë se ka të drejtë ta drejtojë makinën e punës me targa të huaja. Kjo përfshin bizneset e të gjitha shteteve të huaja, pa ndonjë dallim për Shqipërinë.

“Drejtuesit e makinave, që janë të përfaqësive të kompanive të huaja që operojnë në Kosovë, qoftë të Shqipërisë apo të vendeve të tjera, duhen të jenë të pajisur me autorizimin që tregon se është i punësuar i asaj kompanie dhe ka një kontratë të vlefshme, në të cilën precizohet saktësisht që ky person ka të drejtë të drejtojë automjetin brenda territorit të Kosovës. Përndryshe, sa i përket dënimeve, deri tani s’ka pasur asnjë gjobë për asnjë prej këtyre përfaqësive të bizneseve, pavarësisht se kemi pasur ndalime për të kontrolluar nëse ai automjet po përdoret për qëllimet e biznesit, apo thjesht për të shmangur taksat”, shprehet Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Në një rast tjetër, kur automjeti shfrytëzohet në mënyrë sistematike pa e lëshuar Kosovën, atëherë kodi doganor parasheh importin e përkohshëm në këtë rast të automjeteve nga kompania. Për ta bërë importin e përkohshëm, një biznes i huaj duhet të ofrojë garanci bankare në vlerën e taksës doganore të automjetit. Bizneset e interesuara duhet të aplikojnë në doganë, ndërsa garancia bankare mund t’u kthehet në momentin që kompania vendos ta kthejë automjetin në vendin e origjinës.

Top Channel