Këshilli Mbikqyrës i BSH në Prokurori

08/08/2014 00:00

Shtatë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë do të thirren për t’u pyetur, për shkak të pozicionit të detyrës që kanë, për llogari të hetimeve të nisura mbi skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve.

Informacioni konfirmohet për Top Channel në rrugë zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, e cila në fakt nuk publikon afatin kohor se kur do t’i thërrasë anëtarët e organit më të lartë dhe mbikqyrës të politikave, administrimit dhe operacioneve të Bankës së Shqipërisë.

Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës janë: kryetari i këtij Këshilli, Ardian Fullani, në detyrën e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë; Elisabeta Gjoni, zëvendës/kryetare, dhe anëtarët Petraq Milo, Dhori Kule, Ela Golemi, Ermelinda Meksi dhe Ardian Civici.

Thirrja e tyre në Prokurori parashikohet të bëhet për shkak se njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës po përpiqet të hedhë dritë dhe të verifikojë përgjegjësitë për administrimin dhe organizimin e punës, si dhe zbatimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor, që rregullon veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, aq më tepër që deri më tani është konluduar se në Departamentin e Thesarit, ku dhe ndodhi vjedhja, mungonte infrastruktura për mirëfunksionimin e Arkave Stok dhe Tranzit, boshllëk i cili ka shkatuar supervjedhjen.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë më në fund një version zyrtar për hetimet e nisura mbi skandalin më të madh të Bankës së Shqipërisë, që deri më tani ka të implikuar 10 persona, nëntë prej tyre nëpunës të Departamentit të Emisionit të kartmonedhës, dhe i fundit, i afërm i njeriut kyç në këtë histori, Ardian Bitrajt.

Prokuroria e Përgjithshme thotë se hetimet synojnë të zbardhin mekanizmin e plotë të vjedhjes së bankës, destinacionin e 713 milionëve të vjedhura, hetimim pasuror dhe adresimin e përgjegjësive të kujtdo, që kishte detyrat përkatëse, që kjo ngjarje të mos ndodhte.

Prokuroria e Përgjithshme konfirmon çfarë është thënë deri më tani nga zëra jozyrtarë, se referuar pamjeve filmike të sekuestruara dhe procesverbaleve të kqyrjes në vendngjarje, por edhe deklaratës së Ardian Bitrajt, ku edhe rezulton se nëpunësit e implikuar deri më tani nuk kanë zbatuar rregulloren, e për këtë, Bitraj, i vetmi i arrestuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ka përfituar nga situata duke përvetësuar shumat e konsiderueshme.

Prokuroria kujton se, pas zhvendosjes së Departamentit të Emisionit në Linzë, në 2013-n, është shtuar edhe dhoma tranzit, por pavarësisht se ka kanë nisur të funksionojnë brenda saj tre arkat; ajo për veprim, stok dhe tranzit; organizimi i punës në këto arka nuk është shoqëruar me akte nënligjore.

Urdhri i viti 2001 i Bankes së Shqipërisë – thotë Prokuroria e Përgjithshme, – mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit, flet për çelësa dublikate dhe jo aktive, çka do të thotë se ky udhëzim nuk rregullon asnjë procedure mbi përdorimin e këtyre çelësave.

E ndërsa në Mars 2014, Këshilli Mbikqyrës, me propozim të ish-drejtorit Dorian Çollaku, më në fund ka miratuar një rregullore që përcakton përdorimin e çelësave, nga kqyrja e Arkës në Veprim rezulton se në këtë ambient nuk gjendet një kasafortë, ku duhej të vendosej plikoja e çelësave të Arkës Tranzit dhe asaj Stok.

E ndërsa ka zbardhur enigmën e çelësave, pritet që Prokuroria të hedhë dritë mbi mjaft pikëpyetje të tjera, të cilat do të ngrihen pas kontrolleve që organi i akuzës kërkon nga Drejtoria e Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave.

Top Channel