Gjykata Administrative rikthen në detyrë dekanen Dorina Hoxha, shfuqizohet vendimi i rektorit të Universitetit të Tiranës Rrugët qendrore të Tiranës çdo ditë ofrojnë një panoramë me fëmijë dhe foshnje që lypin në prani të prindërve të tyre apo të rriturve të tjerë që i shfrytëzojnë.
E ndërsa shpesh janë marrë masa për ta parandaluar një situatë të tillë, prokuroria thotë se shfrytëzimi i të miturve është vepër penale dhe se për shfrytëzimin e të miturve ka tashmë një rrjet të organizuar në qytetet kryesore.
Së fundmi një 30-vjeçar është arrestuar dhe vënë nën akuzën e nxjerrjes së të miturve për të lypur dhe keqtrajtim të të miturit. I pandehuri, Fatmir Zyberi, sipas Prokurorisë së Tiranës që nga muaji prill është vëzhguar nga agjentë të komisartit numër tre teksa nxirrte për të lypur në bulevard të birin 5-vjeçar.
Me këtë argument Zyberi doli para gjykatës penale për masën e sigurisë arrest me burg, ndërkohë që jashtë sallës familjarë të tij kanë pritur vendimin duke e kundërshtuar arrestimin e tij pasi sipas tyre janë në kushte ekonomike mjaft të vështira.
Edhe Zyberi gjatë masës së sigurisë ka rrëfyer të njëjtën gjë. “Unë kam katër fëmijë. Vetë jam i sëmurë me tuberkuloz. Nuk kam të ardhura, nuk kam punë, s’kam me çfarë t’i ushqej fëmijët”, mësohet në rrugë jozyrtare të jetë mbrojtur Zyberi të cilit gjykata i ka ofruar një avokat falas.
Zyberi ka pohuar se është e vërtetë që e nxirrte të birin për të lypur, por e kishte bërë këtë gjë pasi askush nuk e kishte marrë në punë edhe pse kohët e fundit kishte aplikuar për diçka të tillë edhe në Inspektoriatin e Punës.
Top Channel