Në vitin 2004 Ernst Welteke, Guvernatori i Bankës së Shtetit gjerman u detyrua të dorëhiqej nga presioni i fortë i opinionit publik pas një skandali të publikuar në media.

Një nga figurat më të njohura të botës financiare në Gjermani, karriera e Welteke-s do të përfundonte vetëm sepse pranoi një dhuratë me vlerë 7 mijë e 600 euro. Kjo ishte tarifa e qëndrimit për tre ditë në një hotel luksoz në Berlin, të cilit Guvernatorit ju pagua nga një bankë private.

Kaq mjaftoi që mediat dhe opinioni publik në Gjermani të nisnin kryqëzatën duke e detyruar shefin e Bankës Qendrore të jepte dorëheqjen nga posti që e mbante prej disa vitesh. Rasti Welteke nuk është i vetmi kur një Guvernator përfshihet në skandal.

Vetëm një vit më vonë, Antonio Facio, Guvernatori i Përjetshëm i Bankës se Italisë pësoi të njëtin fat, madje me pasoja më të rënda. Prej 12 vitesh nën drejtimin e Bankës së Shtetit italian, Facio u vu në qendër të skandalit që u pagëzua me emrin Bancopoli, një zinxhir transaksionesh të dyshimta financiare me shitblerjen e askioneve të Bankës Antonveneta.

Pas shpërthimit të skandalit në vitin 2005, prokurori i Milanos hapi zyrtarisht hetimet që çuan fillimisht në dorëheqjen e Fazios dhe më vonë në dënimin e tij me burg për dy vjet e gjysmë nga Gjykata e Lartë.   

Pas rastit të Fazios, Xhulio Tremonti, në atë kohë Ministër i Ekonomisë, përballë edhe presionit të fortë nga publiku, propozoi një sërë reformash për të kufizuar superpushtetin e Guvernatorëve. Së pari koha e qëndrimit në detyrë nga pa limit, u reduktua në gjashtë vjet si për Guvernatorin ashtu dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, ndërsa paralelisht u lehtësuan dhe procedurat e shkarkimit duke i dhënë më shumë autoritet qeverisë.

I fundit në radhë ishte Guvernatori i Bankës Qendrore të Zvicrës,  Filip Hildebrand. Në rastin e Hildebrand shkaku ishte gruaja e tij, e cila kishte blerë 500 mijë dollarë në kursin e këmbimit, tre javë më parë se banka qendrore që drejtohej nga bashkëshorti i saj të merrte vendimin për të dobësuar frangën ndaj dollarit.

Ish-guvernatori deklaroi se nuk kishte  dijeni për transaksionin e gruas, por për opinionin publik në Zvicër kaq mjaftonte që të kërkonte dorëheqjen e tij, që erdhi vetëm një javë më vonë.

Guvernatorët e bankave qendrore janë njerëz me pushtet të jashtëzakonshëm. Por ndryshe nga postet e tjera pushteti i tyre nuk u buron nga vota e qytetarëve, ndaj ndjeshmëria e opinionit publik ndaj skandaleve që përfshijnë shefat e bankave qendrore është i lartë, pasi presupozohet që Guvernatorët duhet të qendrojnë përtej skandaleve politike apo dhe ato financiare.

Rëndësia e tyre shkon madje përtej pushtetit real, pasi në SHBA edhe lajmet për shëndetin e Guvernatorit shkaktojnë luhatje të bursës.   

Top Channel