Obeziteti, s’majftojnë vetëm dietat

03/08/2014 00:00

Mënyra jo e mirë e të ushqyerit, por dhe produktet ushqimore të modifikuara apo me shumë konservantë, po çon drejt shtimit të obezitetit në vendin tonë.

Ndokush kujdeset që, përmes dietave të posaçme, të reduktojë disa kilogram, por dhe rezultati i tyre është i përkohshëm. Nutricienët shpjegojnë se organizmi krijon intolerancë ndaj disa produkteve, të cilat i akumulon dhe nuk arrin t’i absorbojë.

“Duke qenë se ne kemi kuzhinë mesdhetare, bazë në të janë brumrat, bulmetrat, ndërsa gjatë viteve të fundit edhe të gjitha gatimet me vajin e ullirit, të gjitha pijet me kafeinë, mishi i kuq. Pikërisht janë këto ushqime, që shfaqin edhe intolerancat më të mëdha, pasi këto ushqime ne i akumulojmë me shumicë në më shumë se 1 vakt gjatë ditës, e më pas shkaktojnë probleme të intolerancës, që fatkeqsisht nuk janë të dukshme, në mënyrë që ne t’i kuptojmë që në fillim, por janë probleme që lidhen me ushqimin”, shprehet Albana Daka, mjeke laboratori, nutricioniste.

Dhimbje koke, hipertension, takikardi, fryrje zorrësh e të tjera, shpesh të pashpjegueshme, nutricienët i lidhin me intolerancën ushqimore të krijuar në organizëm, e cila varion nga një person te tjetri.

“Intolerancë ushqimore në organizëm do të thotë akumulim i një apo disa lloj ushqimesh në sasi të mëdha, të marra për një kohë të gjatë, të cilat japin pasoja në sisteme të ndryshme. Mund të shfaqen me probleme të stomakut, të zorrëve, me fryrje të barkut, me rritje në peshë, por edhe me dhimbje koke, me probleme me gjumin, me dhimbje të vazhdueshme të kockave”, thotë më tej Albana Daka.

Me një analizë gjaku, çdokush mund të mësojë se cili është produkti ushqimor, që nuk duhet të konsumojë për një periudhë kohe, për shkak të intolerancës që ka krijuar, dhe kjo varion në mosha të ndryshme.

“Intolerancat më të mëdha te popullsia jonë janë kryesisht produktet e brumit, bulmetrat, vaji i ullirit dhe produktet me kafeinë tek adultët, ndërsa te fëmijët dhe adoleshentët ndryshon, sepse te këto grupmosha, përveç intolerancës me ushqimet shohim edhe intolerancë me konservantët e ushqimeve të paketuara”, deklaron Albana Daka.

Ndonëse nutricioni, apo ajo pjesë e shkencës që merret me të ushqyerit, është i ri në vendin tonë, specialistët kërkojnë që një analizë e tillë të futet në “check-up”-in e përvitshëm, për të ndihmuar në mirëfunksionimin e organizmit.

Top Channel