Universitetet publike dhe private në sitë

02/08/2014 00:00

Ministria e Arsimit prej disa muajsh ka vënë në sitë të gjitha universitetet private dhe publike për të parë nëse ato funksionojnë brenda kuadrit ligjor, i cili duhet të garantojë cilësi për studentët.

Javën e ardhshme pritet të dalë raporti i parë i cili do të saktësojë gjendjen reale të universiteteve shqiptare, shumë prej të cilave pritet të penalizohen.

“Javën që vjen do të keni një raport mbi shkeljet e ligjshmërisë që universitetet private dhe publike kanë dhe masave që Ministria do të marrë në lidhje me këtë çështje. Pas kësaj, do të kemi procesin e akreditimit nga agjensia britanike e cila do të merret me standartet e funksionimit të universitetit”, deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Arbjan Mazniku.

Mazniku shtoi se pas këtij raporti do të nisë puna me akreditimin e universiteteve: “Kemi nisur kontaktet me agjensinë britanike që në nëntor të vitit të kaluar dhe që në ato momente një çështje u bë e qartë: procesi i akreditimit është i logjikshëm për të verifikuar kriteret e cilësisë së mësimdhënies apo të funksionimit të universiteteve.”
 
Në fund të këtij viti pritet të përfundojë akreditimi i universiteteve, një proces i cili kryhet për herë të parë në vendin tonë dhe që saktëson cilësinë reale të universiteteve.

Vitin e ardhshëm pritet të zbatohet ligji i ri për arsimin e lartë i cili do të kalojë në Parlament vjeshtën e këtij viti.

Top Channel