Tafaj: Aftësia e kufizuar pa pagesa

02/08/2014 00:00

Kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara Sinan Tafaj i ka kërkuar Ministrisë së Mirëqënies Sociale që të shlyejë detyrimet ligjore ndaj këtij grupi.

Sipas Tafaj në shumë Bashki dhe Komuna nuk është kryer rimbursimi i pagesës së energjisë elektrike dhe i telefonit.

“Megjithëse personat me aftësi të kufizuara kanë dorëzuar dokumentacionin, nuk rimbursohen me arsyetimin se nuk ka fonde, ose në disa raste ku janë më në krah të qeverisë me arsyetimin se nuk është i qartë vendimi i qeverisë, ose nuk është i qartë dokumentacioni. Për këtë arsye ne i kemi dërguar Ministrit Veliaj një shkresë ku i kemi kërkuar që ose të ndreqë vendimin e qeverisë, ta saktësojë, ose të nxjerrë një udhëzim përkatës në mënyrë që administratorët socialë të mos nxjerrin pengesa artificiale dhe të sqarohet nëse ky është një problem buxhetor, apo problem tekniko-burokratik”, deklaroi Tafaj.

Tafaj theksoi se ende nuk është kryer indeksimi i pagesave të aftësisë së kufizuar, ndërkohë që ky proces ka përfunduar për të gjitha pagesat e tjera.

Kreu i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar deklaroi para mediave se ka depozituar në gjykatë një padi ndaj Ministrit Veliaj me akuzën e shpifjes.

“Kam paraqitur një kërkesë-padi në gjykatë dhe i kam kërkuar gjykatës që Veliaj të deklarohet fajtor për shpifje, denigrim, cënim të dinjitetit dhe personalitetit duke bërë shpifje intensive mbi mua. Zoti Veliaj të më paguajë një dëmshpërblim prej 110 milion lekësh të vjetra”, deklaroi Tafaj.

Debati mes Ministrit të Mirëqënies Sociale, Erjon Veliaj dhe kryetarit të Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara u acarua gjatë kohës së diskutimit të ligjit të ri për personat me aftësi të kufizuara.

Top Channel