Kinë, promovohet “spiuni” anti-korrupsion

01/08/2014 00:00

Presidenti Xi Jinping pritet të promovojë një informator për rastet e korrupsionit, në krye të trupës vendimmarrëse ushtarake të Kinës, për të theksuar vendosmërinë e tij për të luftuar marrjen e ryshfetit brenda forcave të armatosura të vendit, që po modernizohen me shpejtësi.

Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme për agjencinë e lajmeve Reuters.

Gjenerali Liu Yuan, 62 vjeç, djali i madh i presidentit të ndjerë Liu Shaoqi, pritet të emërohet në Komisionin Qendror Ushtarak gjatë një takimi të Komitetit Qendror, një organ elitar prej 205 anëtarësh i Partisë Komuniste, në Tetor, bën të ditur një burim i afërt me lidershipin, si dhe një burim që ka lidhje me ushtrinë.

Siguria për Liu është rritur së tepërmi, pasi ai ka marrë kërcënime me vdekje për shfaqjen e skandalit më të madh ushtarak të ryshfetit në periudhën moderne të Kinës, që përfshin shitjen e gjerë të pozitave në Ushtrinë Popullore të Lirisë (PLA), theksojnë të tjerë burime.

Xi e ka bërë luftimin e korrupsionit, të përhapur gjerësisht mes zyrtarëve, një prej prioriteteve të tij kryesore, që kur mori drejtimin e partisë në Nëntor të vitit 2012. Lufta e tij pati zhvillime të shpejta këtë javë, kur partia deklaroi se kishte nisur hetimin e ish-shefit të sigurisë së brendshme, Zhou Yongkang, për shkelje të disiplinës së partisë, një term që përdoret zakonisht për korrupsionin.

Xi ka kërkuar gjithashtu nga ushtria të pastrojë radhët e saj dhe të bëhet më e gatshme për luftë, pasi Kina është përfshirë në konfliktin e ujrave të diskutueshme në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore, edhe pse vendi nuk është përfshirë në asnjë luftë prej dekadash të tëra, e që thekson se kërkon marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj.

Liu është aktualisht komisioner politik i Departamentit të Logjistikës së ushtrisë (PLA), i cili kishte hapur rrugën për akuza korrupsioni ndaj Xu Caihou, një ish-zv/lider i komisionit ushtarak, tashmë i dalë në pension, si dhe anëtar i byrosë politike, si dhe një Gjeneral toge, Gu Junshan.

Reuters nuk ka mundur të kontaktojë me dy të akuzuarit, madje ende nuk është e qartë nëse ata kanë mundur të kenë avokatë mbrojtës.

Top Channel