Yukos, Rusia edhe 2,5 mld USD dëmshpërblim

31/07/2014 00:00

Pas vendimit të Gjykatës së Hagës, për Rusinë ka ardhur edhe një tjetër vendim ligjor, këtë herë nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, i cili e detyron atë t’u paguajë rreth 2,5 miliardë dollarë ish-aksionerëve të kompanisë së naftës Yukos, e cila u detyrua të falimentonte.

Ministria ruse e Drejtësisë bëri të ditur se vendimi ishte “i padrejtë” dhe se kishte 3 muaj për të apeluar kundër tij. Vendimi i Hagës, i cili erdhi vetëm në fillim të kësaj jave, detyronte Rusinë t’u paguante ish-aksionerëve plot 50 miliardë dollarë. Kjo për shkak se zyrtarët rusë kishin manipuluar sistemin ligjor për të çuar drejt falimentit ish-kompaninë Yukos, e më pas për të burgosur pronarët e saj.

Rusia ka deklaruar se do të apelojë gjithashtu edhe vendimin e Gjykatës së Hagës.

Vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut theksonte se “shteti i paditur duhet t’i paguajë palës paditëse, – në këtë rast aksionerët e kompanisë, – aq sa kanë qenë në momentin e likuidimit të kompanisë dhe, sipas rastit, pasuesve të tyre ligjorë apo trashëgimtarëve 1 miliard e 866 milionë e 104 mijë e 634 euro, duke shtuar këtu edhe taksat që mund të aplikohen”.

Gjykata vendosi gjithashtu që Rusia duhet të paguajë edhe 300 mijë euro, sa i përket kostove dhe shpenzimeve të gjyqit. Rusisë i është bërë e ditur që ka 6 muaj kohë për të ardhur me një “plan mirëkuptues”, për t’u paguar aksionerëve këtë shumë.

Aksionerët, në fakt, kishin synuar thuajse 38 miliardë euro kompensim. Por, “të gjithë aksionerët e Yukos-it do të përfitojnë nga ky vendim”, tha Steven Theede, ish-shefi ekzekutiv i kompanisë. “Ndjekja e kësaj çështjeje, për të cilën padia është dorëzuar në Prill të 2004-s, u bë për t’u siguruar aksionerëve se do të marrin kompensime kundrejt veprimeve të gabuara të Federatës Ruse. Ia ka vlejtur çdo përpjekje e bërë deri tani”.

Kompensimi i aksionerëve të Yukos përfaqëson deri tani vlerën më të madhe të caktuar me vendim të Gjykatës së Strasburgut. “Vlera e caktuar si dëmshpërblim është totalisht e paprecedent në fushën e të drejtave të njeriut”, tha Jan Kleinheisterkamp, ndihmës/profesor i ligjeve në “London School of Economics”. “1.9 miliardë euro janë thuajse të pabesueshme, sa i përket vlerës së kompensimit të vendosur nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut”.

Yukos u shpërbë në vitin 2007, pasi shpalli falimentin në vitin 2006. Kompania kontrollohej nga Mikhail Khodorkovsky, ish-bosi më i madh i Rusisë, i cili kaloi 10 vjet në burg, pasi u dënua për mashtrim dhe evazion fiskal. Ai u fal nga Putin gjatë Dhjetorit të kaluar.

Top Channel