OKB: Trafiku njerëzor, duhen më shumë dënime

30/07/2014 00:00

Përpjekjet globale për të ndalur biznesin e trafikut njerëzor, i cili sjell me miliarda dollarë përfitime, po vështirësohen nga perceptimet se ky është një krim i lehtë, që nuk merr dënime të rënda, tha kreu i zyrës së OKB-së për krimet dhe drogërat, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Mes 159 vendeve, të cilat kanë ratifikuar një protokoll të OKB-së të vitit 2000 për të ndalur dhe për të luftuar trafiqe të tilla, 15 prej tyre nuk kanë regjistruar qoftë edhe një dënim të vetëm në vitet 2010-2012, ndërkohë që ishin 16 vende, ato që nuk bënë diçka të tillë në vitet 2007-2010, tha ai.

“Ky, sigurisht, nuk mund të konsiderohet si një sukses”, tha Yury Fedotov, drejtor ekzekutiv i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogërat dhe Krimet. “Njerëzit duhet të kuptojnë se trafikimi i qenieve njerëzore është një krim serioz”.

25 vende të tjera kanë regjistruar 10 ose më pak dënime në vitet 2010-2012, duke e pasur përqindjen e ndëshkueshmërisë për trafikimin, po aq të rrallë sa dhe dënimet për vetëvrasje në Islandë, apo për pengmarrje në Norvegji, bën të ditur OKB.

“Deri më tani, ky është konsideruar nga kriminelët si një aktivitet kriminal më i sigurt, krahasuar me aktivitetet e paligjshme me drogërat apo me armët”, tha Fedotov. “Ajo që duhet të jetë e rëndësishme, nuk është ashpërsia e dënimeve, por perceptimi se ndëshkueshmëria është e pashmangshme”.

Rreth 21 milionë njerëz në botë janë viktima të punës së detyrueshme, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), të cilët shfrytëzohen për prostitucion, punë në familje, agrikulturë, krime të lehta, por edhe për transplant organesh.

ILO përllogarit se nga puna e detyrueshme gjenerohen rreth 150 miliardë dollarë të ardhura, vetëm për sektorin privat, po aq sa 2/3-at e shfrytëzimit seksual për tregti apo reklamim.

Kombet e Bashkuara, të cilët e emëruan këtë të mërkurë si ditën e parë Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, nuk jep të dhëna mbi numrin e përgjithshëm të viktimave të trafikuar, duke thënë se të dhënat janë të papërfunduara.

Por, sipas OKB, viktima po bëhen gjithnjë e më shumë moshat e reja. Nga rastet e njohura prej Kombeve të Bashkuara, 59% janë femra, 14% janë meshkuj, ndërsa 27% janë fëmijë, shumica e të cilëve femra. Këto të dhëna janë në përputhshmëri me 20% e fëmijëve të zhdukur gjatë viteve 2003-2006.

Rasti më i zakonshëm i trafikimit është ai për shfrytëzim prostitucioni, i cili është më frekuent në Europë dhe Amerikë, ndërkohë që trafikimi për punë të detyrueshme është më i zakonshëm në Afrikë dhe në Azi. Viktimat janë më së shumti prej Azisë Lindore, Lindjes së Mesme, por edhe nga Amerika. Ndërkohë që prej kombeve afrikane nën Sahara shfrytëzohen më shumë në Europën Perëndimore dhe Qendrore.

Top Channel