SHBA: Rusia shkeli Traktatin e raketave

29/07/2014 00:00

Qeveria amerikane ka akuzuar Rusinë se ka shkelur traktatin e kontrollit të armëve duke testuar një raketë bërthamore.

Rusia testoi një raketë Cruise të qëlluar nga toka, duke shkelur Traktatin e nënshkruar në vitin 1987 gjatë Luftës së Ftohtë, deklaroi administrata amerikane.

Një zyrtar i vjetër amerikan nuk dha detaje të tjera mbi këtë akuzë, por e cilësoi veprimin e Moskës si “shumë serioz”. Marrëveshja dypalëshe ndalonte raketat me rreze të mesme veprimi, që arrijnë nga 500 deri në 5.500 kilometra.

Deklarata e Shteteve të Bashkuara vijnë në një moment kur tensionet mes dy palëve janë më të larta se kurrë, me Uashingtonin që akuzon Moskën për përfshirje në konfliktin në Ukrainë.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimati, tha se “testimi i raketës është një çështje shumë serioze që Amerika është përpjekur të zgjidhë me Rusinë prej kohësh”.

“Ne inkurajojmë Rusinë që t’i rikthehet përmbushjes së detyrimeve që dalin nga traktati dhe të eleminojë çdo element të ndaluar në mënyrë të verifikueshme”, tha zyrtari.

Presidenti amerikan Barack Obama i ka shkruar liderit rus Vladimir Putin në lidhje me këtë çështje, shtoi ai. Kjo është hera e parë që qeveria amerikane ka bërë akuza publike, edhe pse çështja ekziston pre vitesh, raporton ndërkohë BBC.

Në janar “New York Times” shkroi se autoritetet amerikane besonin se Rusia kishte filluar testimin e raketave të qëlluara nga toka që prej vitit 2008. Departamenti i Shtetit deklaroi në atë kohë se çështja ishte nën hetim.

Traktati i vitit 1987 është thelbi i përpjekjeve ruso-amerikane për kontrollin e armëve dhe u nënshkrua nga presidentët e atëhershëm Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev në vitet e fundit të Luftës së Ftohtë.

Top Channel