Rrëzimi i avionit MH17, “një krim lufte”

28/07/2014 00:00

Rrëzimi i avionit “Malaysia Airlines” në Lindje të Ukrainës mund të përbëjë një “krim lufte”, ka bërë të ditur shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay.

Ukraina dhe qeveritë e Perëndimit besojnë se rebelët pro-rusë kanë rrëzuar fluturimin MH17, duke përdorur një sistem raketa-hedhës të siguruar prej Rusisë. Të 298 personat në bord, shumica e të cilëve holandezë, nuk i mbijetuan incidentit.

Moska dhe rebelët kanë fajësuar forcat ukrainase për rrëzimin e avionit. Policia holandeze dhe australiane raportohen të jenë nisur për në vendngjarje për të hetuar, por luftimet e ashpra në zonë, mes pro-rusëve dhe forcave qeveritare, nuk ua mundësuan atyre aksesin që në momentet e para.

Ata duan të ndihmojnë në rrethimin e vendit të rrëzimit, në territor të zotëruar nga rebelët, në mënyrë që mbetjet e avionit dhe ato të viktimave të ekzaminohen nga ekspertët ndërkombëtar.

Shumica e trupave janë hequr nga aty dhe janë rinisur për në Holandë. Ushtria ukrainase po përpiqet të marrë kontrollin e dy rrugëve kryesore, të cilat konsiderohen nga qeveria në Kiev si jetësore, sa i përket linjave të furnizimit nga Rusia për rebelët në Donjeck.

Në 24 orët e kaluara, ka pasur bombardime në qytetin Horlivka, ku shumë civilë janë vrarë. Në qytetin e Donjeckut, të paktën 3 persona kanë vdekur gjithashtu nga bombardimet, bëjnë të ditur autoritetet lokale.

Top Channel