“Në emër të humanizmit ndalni luftën”

28/07/2014 00:00

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka bërë thirrje për të ndaluar urgjentisht dhunën në Gaza, duke paralajmëruar se territori palestinez është në “gjendje kritike”.

“Në emër të humanizmit, dhuna duhet të ndalet”, tha ai në Nju Jork pasi u kthye nga një vizitë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Por, vetëm pak momente pas fjalimit të Ban Ki Moon, agjencitë e lajmeve raportuan se spitali kryesor i Gazës ishte goditur nga një sulm ajror izraelit. Sipas burimeve, të paktën 10 persona kanë vdekur. Ndërkohë që Izraeli deklaron se edhe Hamas ka bombarduar, duke vrarë 4 banorë.

Nga ana e tij, Ban kritikoi të dyja palët për sulme në zonat e banuara nga civilët. Ai tha se Hamas kishte qëlluar raketa në zonat civile të Izraelit, ndërsa forcat izraelite kishin përdorur municione të rënda shpërthyese në zonat e populluara të Rripit të Gazës.

“Njerëzit në Gaza nuk kanë ku të futen. Palët e përfshira në konflikt kanë përgjegjësinë e tyre për të mbrojtur civilët”, tha ai.

Ban përsëriti apelin e OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm, humanitar dhe pa kushte në Gaza deri në fund të muajit të Ramazanit.

“Të dyja palët janë kanë mbajtur një qëndrim të papërgjegjshëm dhe të gabuar, duke lejuar vazhdimin e dhunës pavarësisht përpjekjeve të OKB-së dhe SHBA për armëpushim”, deklaroi Ban.

“Është çështje e vullnetit politik. Ata duhet të tregojnë humanizmin e tyre si liderë, si Izraeli ashtu edhe Palestina”, u tha më tej ai gazetarëve nga Pallati i Qelqtë.

Izraeli e nisi ofensivën kundër militantëve palestinezë të Hamasit në territorin e vogël bregdetar tre javë më parë, pas disa raketave të qëlluara prej tyre.

Top Channel