Libia në prag “fatkeqësie humanitare”

28/07/2014 00:00

Libia ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të shuar një zjarr, që ka shpërthyer në një magazinë të madhe nafte në Tripoli, e cila është goditur nga një raketë gjatë përplasjeve të milicive.

Shpërthimi i fuqishëm mund të shkaktojë “një fatkeqësi humanitare dhe mjedisore”, ka paralajmëruar qeveria. Kjo magazinë është më e madhja në Tripoli, e cila mban rreth 6,6 milionë litra naftë.

Të paktën 97 njerëz janë vrarë gjatë luftimeve mes grupeve rivale të milicive, të cilët kërkuan kontrollin e aeroportit kryesor të Tripolit gjatë javës së kaluar.

Luftimet në qytetin lindor të Bengazit janë intensifikuar, me të paktën 38 persona të vrarë në përplasjet mes trupave besnike të qeverisë libiane dhe luftëtarëve islamikë gjatë së dielës.

Një deklaratë e bërë nga zyra e kryeministrit bënte të ditur se ajo ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare si “masë paraprake”. “Disa vende kanë shprehur dëshirën për të dërguar avionë dhe një ekip ekspertësh, të cilët janë të specializuar në shuarjen e flakëve”, vazhdon më tej deklarata.

Top Channel