Bajrami, festë edhe në zonat e luftës

28/07/2014 00:00

Muslimanët anembanë globit po festojnë Bajramin e Madh, kremtimi që shënon fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

Vitin që shkoi, kjo ditë, një prej më të rëndësishmeve të kalendarit musliman, në Kajro do të festohej mes telave me gjemba dhe autoblindave. Mbështetës e rivalë të presidentit të përmbysur, Mohamed Mursi, kremtonin të ndarë, në pjesë të veçanta të kryeqytetit egjiptian, të polarizuar në mënyrë të rrezikshme. Sivjet, situata është më e qetë dhe njerëzit duken më optimistë.

“Patrullat e policisë vazhdojnë të jenë nëpër këmbë, por i shikon që lëvizin e njerëzit duken të gëzuar, nuk kanë frikë. Jemi të gjithë këtu, jemi mirë, çfarë mund të kërkosh më shumë”.

Bangladeshi – Tragete të mbushura me njerëz janë larguar nga Daka në Bangladesh, ku qindra vetë kanë lënë kryeqytetin për ta kaluar këtë festë pranë familjeve të tyre. Në stacionet e trenave, njerëzit shpërfillën rrezikun, duke qëndruar shumë pranë shinave, në pritje për të mbushur vagonët, e disa nuk kanë ngurruar të ngjiten edhe në çatitë e tyre, vetëm që të mos prisnin më gjatë, por të largoheshin prej andej.

Gaza – Në Gaza, festa këtë herë është e zymtë. Mes gërmadhave e duhmës së vdekjes, banorët pak e shijojnë sivjet Fitër Bajramin.

“Kjo festë po i sheh njerëzit të martirizohen, e vendin të shkatërrohet, çfarë kremtimi është ky? Kush ka zemër të festojë në kohë të tilla? Kur hamë bukë, na duket helm. Turp t’iu vijë atyre. Ku është bota? Pse nuk ndërhyjnë?”.

Në kampin e Baqa-s, në Jordani, dita e përuljes dhe falënderimit ndaj Zotit u shndërrua në ditë proteste kundër ofensivës izraelite në Gaza. Territori palestinez ishte edhe në mendjen e presidentit afgan në largim, Hamid Karzai, i cili tha se uron arritjen sa më shpejt të paqes në Gaza, ndërsa i bëri thirrje, nga ana tjetër, edhe militantëve talebanë t’i japin fund dhunës.

Top Channel