MH17, hetuesit ende pa akses në vendngjarje

27/07/2014 00:00

Më shumë se një javë, pasi “Malaysia Airlines” u rrëzua në Ukrainën lindore, hetuesit e Malajzisë nuk kanë mundur të depërtojnë në vendin e përplasjes, kështu deklaroi kryeministri malajzian, Najib Razak.

Në fjalën e tij, ai u kërkoi rebelëve pro-rusë dhe forcave të armatosura të Ukrainës për të bashkëpunuar, në mënyrë që hetuesit të mund të kenë akses të plotë në terren.

Sipas ekspertëve, pjesa më e rëndë pas tragjedisë ajrore është fakti se ka ende trupa të pajetë, të cilët dergjen në fushën ku u rrëzua avioni, dhe nuk zhvendosen dot për shkak të luftimeve që vazhdojnë mes dy palëve.

Ndërkaq, zyrtarët konfirmuan se ekspertë holandezë, të nisur drejt vendit të aksidentit në Ukrainën lindore, u kthyen. Edhe pasi u arrit një marrëveshje mes ndërkombëtarëve dhe separatistëve pro-rusë, këta të fundit nuk lejuan hetuesit që të depërtojnë në terren.

Sfida për identifikimin e viktimave të MH17 parashikohet të jetë e shtrirë në kohë. Rusia vazhdon të jetë në qendër të akuzave, të cilat me kalimin e ditëve duket se po rëndohen.

Moska reagoi me ashpërsi për sanksionet shtesë të vendosura nga Bashkimi Evropian, mbi rolin e saj në krizën e Ukrainës. Ministria e Jashtme e Rusisë, po ashtu, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se ka kontribuar gjithashtu në konfliktin e Ukrainës, nëpërmjet mbështetjes së saj për qeverinë pro-perëndimore të Kievit.

BE arriti në një marrëveshje për të vendosur sanksionet e para ekonomike në Rusi, fillimisht në sektorin e gazsjellësit, si dhe ka ngrirë asetet për shefat e shërbimit të sigurisë, atyre të shërbimit të inteligjencës së jashtme dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, duke thënë se ata janë pikat kyçe që ndihmojnë qeverinë ruse, për të kërcënuar sovranitetin dhe integritetin kombëtar të Ukrainës.

Top Channel